RAJONI
2 minuta leximi
Vjosa Osmani diskuton me presidentin hungarez për forcimin e partneritetit
Sulyok e ka pritur Osmanin me një ceremoni zyrtare me nderime ushtarake në Budapest ku me pas kanë zhvilluar takim bilateral.
Vjosa Osmani diskuton me presidentin hungarez për forcimin e partneritetit
Vjosa Osmani diskuton me presidentin hungarez për forcimin e partneritetit / TRT Balkan
17 Qershor 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Hungari, ka takuar presidentin e këtij shteti, Tamas Sulyok.

Sulyok e ka pritur Osmanin me një ceremoni zyrtare me nderime ushtarake në Budapest ku me pas kanë zhvilluar takim bilateral.

Duke folur rreth këtij takimi, presidentja kosovare Osmani tha se ata diskutuan për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

"Sot në takim me presidentin hungarez Tamas Sulyok diskutuam thellimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve tona. Potenciali për rritjen e mëtejme të bashkëpunimit Kosovë–Hungari është i madh dhe vendi ynë mbetet i përkushtuar për të hapur kapituj të rinj në marrëdhëniet tona", shkroi Osmani.

Tutje, ajo ka bërë të ditur se i ka shprehur presidentit Sulyok mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për rolin e Hungarisë në kuadër të KFOR-it, për mbështetjen e dhënë studentëve të Kosovës ndër vite, si dhe për iniciativat që kanë afruar edhe më shumë dy vendet.

Presidentja Osmani, gjatë vizitës në Hungari, do të pritet gjithashtu nga Laszlo Kover, kryetar i Parlamentit të Hungarisë.

Në kuadër të agjendës, presidentja Osmani po ashtu do t’i drejtohet studentëve dhe profesorëve të Universitetit Eotvos Lorand me një ligjëratë dhe diskutim me temën "Kosova dhe e ardhmja e saj evropiane: Bashkëpunimi rajonal, angazhimi global dhe rruga përpara", ku do të shpalosë prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, përfshirë integrimin euroatlantik.

Në kuadër të kësaj vizite, presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me Odën ekonomike në Hungari.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us