Ka përfunduar restaurimi i rrethimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, i cili u projektua në vitet ’60 nga arkitekti Gani Strazimiri.
Pas më shumë se 20 vitesh pa ndërhyrje të rëndësishme, ky element i infrastrukturës është rikthyer në gjendje të plotë funksionale dhe estetike.
Punimet u realizuan duke përdorur materiale origjinale dhe duke respektuar konceptin arkitektonik fillestar. Në një postim në rrjetet sociale, Parku Kombëtar i Butrintit theksoi se ky projekt nuk është thjesht një restaurim, por edhe një homazh për mjeshtërinë e projektuesit, si dhe një investim në ruajtjen e trashëgimisë së Butrintit për brezat e ardhshëm.
Butrinti renditet i pari ndër pesë institucionet e trashëgimisë kulturore më të vizituara në Shqipëri për periudhën janar–korrik 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, parku është vizituar në këtë periudhë nga 150.178 vizitorë vendas dhe të huaj.