Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të martën mohoi se banorët e Rripit të Gazës po përjetojnë uri apo se Izraeli po zbaton një politikë të urisë, pavarësisht vlerësimeve ndërkombëtare që tregojnë se territori është në prag të një urie të plotë.
Duke folur në një konferencë, Netanyahu deklaroi se ushtria izraelite ka fotografuar mijëra të burgosur palestinezë nga Gaza, duke pretenduar se asnjëri prej tyre nuk duket “i uritur”.
“Mijëra e mijëra të burgosur heqin bluzat dhe nuk sheh asnjë, asnjë të uritur, që nga fillimi i luftës e deri më sot,” tha Netanyahu.
Ai gjithashtu pohoi se Izraeli ka vendosur që nga fillimi i luftës të dërgojë për popullsinë civile në Gaza “produkte thelbësore: ushqim, ujë, ilaçe”.
Megjithatë, kryeministri nuk ofroi asnjë provë për të mbështetur këto pretendime, të cilat bien ndesh me paralajmërimet e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare se banorët e Gazës po përballen me një nivel të lartë të pasigurisë akute ushqimore.
Deklaratat e tij gjithashtu konfirmojnë se ushtria izraelite ka arrestuar mijëra persona nga Gaza.
Izraeli, që nga 2 marsi, i ka mbyllur të gjitha kalimet drejt Gazës për dorëzimin e ushqimit, ilaçeve dhe ndihmës humanitare, duke e përkeqësuar edhe më tej krizën humanitare tashmë të rëndë. Shumë persona, përfshirë fëmijë, kanë vdekur nga kequshqyerja, ndërsa autoritetet në Gaza kanë shpallur tashmë gjendje urie.
Duke anashkaluar OKB-në dhe organizatat e tjera ndërkombëtare humanitare, Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), me mbështetjen e ShBA-së, nisi punën të hënën. Pjesëmarrja e tij në shpërndarjen e ndihmës nën kontrollin izraelit ka ngjallur shqetësim tek organizatat humanitare, të cilat theksojnë se për një ndikim të vërtetë nevojitet një shpërndarje e gjerë dhe e vazhdueshme e ndihmës.
Të martën, të paktën tre palestinezë u vranë dhe 46 të tjerë u plagosën kur ushtria izraelite hapi zjarr mbi turmën që po shkonte drejt një qendre ndihme të GHF-së, njoftoi Zyra për Media e Qeverisë në Gaza.
Ushtria izraelite, duke vazhduar të injorojë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka ndërmarrë një ofensivë të përgjakshme në Gaza që nga tetori 2023, ku kanë humbur jetën mbi 54.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.
Gjykata Penale Ndërkombëtare në nëntor të vitit të kaluar ka lëshuar urdhër-arrest për Benjamin Netanyahun dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime ndaj civilëve në enklavë.