Arben Loshi, sekretar i Kuvendit të Kosovës ka njfotuar se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka vendosur që seanca konstituive të mbahet po sot në orën 20:00.
Ky vendim është marrë pas një informate se në ndërtesën e Kuvendit ka një bombë.
Loshi deklaroi se njësiti i veçantë për antibombë po kryen veprimet e tyre policore në hapësirën e Kuvendit.
“Seanca konstituive e përcaktuar sot për në ora 11:00 pas alarmit për bombë i vazhdon punimet sot në ora 20:00 sipas njoftimit të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari…Policia, njësitet e veçanta antibombë është duke i bërë veprimet e saj policore. Ne mbetemi që të qëndrojmë jashtë ndërtesës së kuvendit, së paku 50 metra largësi sipas rekomandimeve kryesore. Njoftimin neve si administratë na e ka dhënë polica për t’i liruar hapësirat. Ndërsa njoftimet e tjera i ka policia”, u shpreh ai.
Ndërkohë, policia e shtetit dha detaje mbi kërcënimin me bombë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Kelani, tha se me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuar personat nga objektet.