Suedia thotë se entiteti i Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, duhet ta respektojë Kushtetutën e shtetit, ligjet dhe vendimet e gjyqësorit shtetëror.
"Republika Sërpska duhet ta respektojë Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës dhe ligjet e atij vendi, dhe të respektojë juridiksionin dhe vendimet e institucioneve gjyqësore në nivel shtetëror," njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme suedeze në X, duke cituar një deklaratë nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) të 6 marsit.
EEAS tha se ligjet e miratuara nga Asambleja Kombëtare e RS-së në fund të shkurtit dhe të nënshkruara nga presidenti i RS-së Millorad Dodik në 5 mars "shkelin rendin kushtetues dhe ligjor të Bosnjë e Hercegovinës dhe funksionalitetin e institucioneve të saj dhe kërcënojnë liritë themelore të qytetarëve të saj".
"Këto veprime janë në kundërshtim me angazhimet që BeH-ja ka ndërmarrë në rrugën e saj drejt BE-së. Republika Sërpska, si entitetet e tjera, duhet ta respektojë Kushtetutën e BeH-së dhe ligjet, si dhe të respektojë kompetencat dhe vendimet e institucioneve të vendit, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, Prokurorinë e Shtetit, si dhe Agjencinë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje. Të gjitha mjetet e brendshme juridike duhet të përdoren për të ruajtur rendin kushtetues të BeH-së," tha EEAS.
Udhëheqjes politike të njësisë së RS-së iu kërkua "të frenojë dhe të heqë dorë nga retorika provokuese dhe veprimet përçarëse, duke përfshirë vënien në dyshim të sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të BeH-së."
Në reagim thuhet se “presioni politik ndaj nëpunësve publikë për t'u larguar nga institucionet e nivelit shtetëror duhet të ndalojë”.
BE-ja mbështeti sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të BeH-së dhe aktorët politikë u thirrën ta "ripërtërijnë fokusin e vendit në përparimin në rrugën drejt BE-së".
Menjëherë pasi u dënua në shkallën e parë para Gjykatës së BeH-së në fund të shkurtit me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim nga mbajtja e detyrës së Presidentit të Republika Sërpskës për moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Millorad Dodik nënshkroi dekrete që shpallin ligjin që ndalon institucionet gjyqësore dhe të sigurisë të BeH-së në territorin e RS-së. Vendimet e tij u pezulluan përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese e BeH-së dhe u dënuan nga një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar.