Të mërkurën, Greqia përfundoi me sukses riatdhesimin e 105 shtetasve grekë dhe anëtarëve të familjeve të tyre nga Izraeli, sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme e vendit.
Evakuimi u koordinua nga ministria me mbështetjen e ambasadave greke në Tel Aviv dhe Kajro, si dhe konsullatës së saj në Jeruzalem.
Të evakuuarit u transportuan në Athinë nga qyteti egjiptian Sharm El Sheikh me avionë ushtarakë të llojit C-130 dhe C-27, të operuar nga Forcat Ajrore të Greqisë.
Të njëjtat fluturime mundësuan gjithashtu kthimin e shtetasve të huaj nga disa vende, përfshirë Shqipërinë, Austrinë, Belgjikën, Bullgarinë, Francën, Gjermaninë, Gjeorgjinë, Zvicrën, ShBA-në, Italinë, Qipron Greke, Lituaninë, Hungarinë, Portugalinë, Rumaninë dhe Suedinë.
Ministria tha se misionet diplomatike dhe konsullore greke në rajon mbeten në gjendje gatishmërie të lartë dhe janë të gatshme të ofrojnë ndihmë të mëtejshme nëse kërkohet.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga e premtja, kur Izraeli nisi sulme ajrore ndaj disa objektivave në Iran, përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, gjë që nxiti hakmarrjen e Teheranit me sulme raketore.
Autoritetet izraelite kanë raportuar se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra janë plagosur si pasojë e sulmeve iraniane me raketa.
Ndërkohë, sipas mediave iraniane, nga sulmet izraelite në Iran janë vrarë 585 persona dhe mbi 1.300 janë plagosur.