RAJONI
2 minuta leximi
Osmani falënderon Erdoğanin për mbështetjen e Kosovës në Forumin Diplomatik në Antalya
Në një postim në rrjetet sociale shoqëruar me disa fotografi përgjatë forumit, presidentja kosovare tha se ky forum është platformë e rëndësishme për t’i thelluar raportet e Kosovës me aleatët dhe për të krijuar partneritete të reja.
Osmani falënderon Erdoğanin për mbështetjen e Kosovës në Forumin Diplomatik në Antalya
Osmani falënderon Erdoğanin për mbështetjen e Kosovës në Forumin Diplomatik në Antalya / AA
14 Prill 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, Zonjën e Parë Emine Erdoğan dhe të gjitha institucionet turke për mikpritjen dhe mbështetjen e Kosovës në Forumin Diplomatik të Antalyas.

Në një postim në rrjetet sociale shoqëruar me disa fotografi përgjatë forumit, presidentja kosovare tha se ky forum është platformë e rëndësishme për t’i thelluar raportet e Kosovës me aleatët dhe për të krijuar partneritete të reja.

“Njohja nga Sudani dhe diskutimet konkrete me përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe takime me shumë partnerë të tjerë, dëshmojnë përkushtimin tonë për ndërtimin e miqësive të reja dhe forcimin e aleancave ekzistuese”, shkroi Osmani.

Presidentja kosovare tha se Kosova çdo ditë e më shumë po e fuqizon pozitën e saj në arenën ndërkombëtare falë punës së pandalshme dhe mbështetjes së miqve që gjithnjë i qëndruan pranë.

Në një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit, Ali Yousif Ahmed Alsharif, në kuadër të edicionit të katërt të Forumit Diplomatik në Antalya (ADF 2025), u bë e ditur të shtunën se Sudani ka vendosur ta njoh pavarësinë e Kosovës, duke u bërë vendi i 119-të në listën e shteteve që e kanë njohur deri më tani pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us