Kuvendi i Kosovës sot në ora 12:00 pritet ta mbaj seancën konstituive. Kjo seancë vjen pas letrës së presidentes Vjosa Osmani që ia ka kthyer Avni Deharit, kryesuesit të seancës së Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të seancës së parë konstituive.
Osmani kishte kujtuar afatin se kur duhet të mblidhen deputetët.
“Kushtetuta ju detyron të jetësoni e jo të bllokoni procese, mblidhuni brenda 48 orësh”, thuhet në letër.
Osmani theksoi se praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese tashmë ka karakter detyrues, dhe se është përgjegjësi e të gjithëve që të kontribuojnë në funksionalizimin e institucioneve që burojnë nga vullneti qytetar.
Ditën e martë është ndërprerë seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Kryesuesi i seancës Avni Dehari ka ndërprerë seancën për shkak të mos votimit të raportit për konfirmimin e mandatave. Ishin 52 deputetë për, 46 kundër dhe 11 deputetë që abstenuan.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë votuar kundër raportit të komisionit të përkohshëm. Ndërkaq, pro këtij raporti kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Nismës.
Kujtojmë, pas konstituimit të Kuvendit, është mandatari i Qeverisë nga partia e parë fituese Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka 15 ditë, siç e parasheh Kushtetuta, që nga data e mandatimit 15 ditë, që të shfrytëzojë kohën për të siguruar votat e nevojshme për votimin e qeverisë, e cila duhet të ketë së paku 61 vota.
Në rast të dështimit të formimit të qeverisë, i takon partisë së dytë PDK-së të merr mandatin për formimin e qeverisë.