RAJONI
2 minuta leximi
Shaip Kamberi reagon kundër ministrit shqiptar në Qeverinë e re serbe: Nuk i përfaqëson shqiptarët
Emërimin e Berishës si ministër të pakicave Kamberi e quajti “një nga zgjidhjet më kontroverse kadrovike” që ngjall shqetësim.
Shaip Kamberi reagon kundër ministrit shqiptar në Qeverinë e re serbe: Nuk i përfaqëson shqiptarët
Shaip Kamberi reagon kundër ministrit shqiptar në Qeverinë e re serbe: Nuk i përfaqëson shqiptarët / AA
16 Prill 2025

Deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kundërshtuar emërimin e shqiptarit Demo Berisha si Ministër i të Drejtave të Njeriut, Pakicave dhe Dialogut Social në Qeverinë e re të Serbisë, e cila u votua pasditen e sotme. 

Emërimin e Berishës si ministër të pakicave Kamberi e quajti “një nga zgjidhjet më kontroverse kadrovike” që ngjall shqetësim. 

“Prania e tij në qeveri bazohet në pragmatizëm politik dhe në nevojën për ta simuluar përfshirjen, veçanërisht sa u përket përfaqësuesve të komuniteteve pakicë, sidomos asaj shqiptare. Përdorimi i këtij kandidati si alibi për përfaqësimin e supozuar të shqiptarëve në institucionet e shtetit do të jetë i dëmshëm për interesat reale të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, por edhe për marrëdhënien e tyre me këtë shtet”, tha Kamberi.

Ai shtoi se ky kandidat bëhet simbol i instrumentalizimit të politikës së pakicave në shërbim të marketingut të regjimit. 

“Në një moment kur nevojitet një dialog autentik dhe një integrim i sinqertë i të gjithë qytetarëve, emërimi i tij duket si një veprim cinik që i shërben vetëm propagandës së regjimit”, theksoi deputeti Kamberi.

Përfaqësuesi shqiptar në Parlamentin serb kritikoi gjithashtu programin qeverisës dhe ekspozenë e kryeministrit, ndërsa vuri në dukje se as kjo qeveri e re nuk e ka guximin të përballet me trashëgiminë e së kaluarës.

“Asnjë fjali nuk u tha për trashëgiminë e kaluar kriminale, për krimet e luftës dhe për ndëshkimin e përgjegjësve. Ndaj Kosovës, vijon politika e mohimit të fakteve dhe e refuzimit për t’u përballur me realitetin”, tha Kamberi.

Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us