RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëri, mbahet tubim në mbështetje të Palestinës
Të pranishmit në tubim mbanin flamuj të Shqipërisë e të Palestinës dhe pankarta me mbishkrimet "Ndalo bombardimin në Gaza", "Ndalo vrasjen e fëmijëve të pafajshëm", "Të ndalohet rrethimi i Gazës" e të tjera.
Shqipëri, mbahet tubim në mbështetje të Palestinës
Shqipëri, mbahet tubim në mbështetje të Palestinës / AA
11 Prill 2025

Në Shqipëri është mbajtur një tubim në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez, duke u dënuar sulmet dhe masakrat e Izraelit ndaj palestinezëve, gjithashtu duke u kundërshtuar dhe dënuar edhe takimet e zyrtarëve shqiptarë me zyrtarët izraelitë.

Tubimi me pjesëmarrjen e qindra personave është organizuar para selisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (KMSh) në Tiranë, me thirrjen e disa organizatave të shoqërisë civile.

Tubimi me moton "Jo në emrin tim", sipas organizatorëve, është mbajtur edhe për të kritikuar dhe kundërshtuar takimin e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të KMSh-së me zyrtarë të Izraelit.

Të pranishmit në tubim mbanin flamuj të Shqipërisë dhe Palestinës dhe pankarta me mbishkrimet "Ndalo bombardimin në Gaza", "Ndalo vrasjen e fëmijëve të pafajshëm", "Zullumit dhe barbarisë nuk i shtrëngohet dora", "Ndalo krimet e luftës të Izraelit në Gaza", "Të ndalohet rrethimi i Gazës", "Të aplikohet zgjidhja me dy shtete" dhe të tjera.

Juristi dhe aktivisti Floriar Arapi, një nga organizatorët e tubimit, në fjalën e tij u shpreh se janë mbledhur për të dënuar gjenocidin më të faktuar të historisë së njerëzimit.

"Jemi mbledhur përsëri për të dënuar me forcë atë që nuk do të donim ta shikonim të vazhdonte më, gjenocidin më të pashembullt të dekadave të fundit. Faktet për këtë gjenocid flasin çdo ditë", tha Arapi.

Arapi, por edhe folës të tjerë dhe pjesëmarrësit në tubim, kritikuan edhe medaljen që mori disa ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga presidenti izraelit, Isaac Herzog, si dhe takimet e zyrtarëve shqiptarë dhe të përfaqësuesve të KMSh-së me zyrtarë izraelitë.

Medalja e marrë nga Rama gjatë vizitës së fundit në Izrael, ka shkaktuar edhe reagime të qytetarëve dhe aktivistëve të ndryshëm në rrjetet sociale, të cilët, duke e kritikuar këtë medalje, theksuan "Jo në emrin tim".

Për mbarëvajtjen e tubimit u angazhuan dhjetëra forca policore pranë selisë së KMSh-së.

Kujtojmë se në Shqipëri edhe më parë janë organizuar tubime në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez dhe për dënimin e sulmeve dhe masakrave të Izraelit ndaj palestinezëve.

BURIMI:TRT Balkan AL
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us