"Gjykata e Gazës", një iniciativë e pavarur e shoqërisë civile e themeluar si një "gjykatë popullore", po mban mbledhjen e saj të parë publike katërditore në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, gjatë së cilës tubimi do të shqyrtojë raportet hetimore, do të dëgjohen rrëfime nga dëshmitarë dhe ekspertë, si dhe do të diskutohet draft deklarata.
Ngjarja përfaqëson një hap kyç në misionin e Gjykatës për të dokumentuar krimet e luftës, për të adresuar boshllëqet e llogaridhënies në sistemin ndërkombëtar të drejtësisë dhe për të avokuar për drejtësi për palestinezët.
"Gjykata e Gazës" u lançua zyrtarisht në Londër në nëntor të vitit 2024 nga një koalicion akademikësh, intelektualësh, mbrojtësish të të drejtave të njeriut dhe përfaqësuesish të organizatave të shoqërisë civile në përgjigje të asaj që ata e përshkruajnë si "dështim i plotë i bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për të zbatuar ligjin ndërkombëtar" në Gaza.
Kjo iniciativë udhëheqit nga Richard Falk, një ekspert i shquar i së drejtës ndërkombëtare dhe ish-raportues special i OKB-së për territoret e pushtuara palestineze. Gjykata e pozicionon veten si një përpjekje për të "mbyllur boshllëkun e zbatimit të ligjit duke ushtruar presion nga shoqëria civile mbi qeveritë që të veprojnë". Ajo "e merr autoritetin e saj nga populli dhe ndjenja e tyre e drejtësisë, në vend që të mbështetet vetëm te qeveritë dhe institucionet e tyre".
Ngjarja në Sarajevë shënon një përparim të rëndësishëm krahasuar me takimet e mëparshme përgatitore dhe seancat strategjike të Gjykatës të mbajtura në Londër (shkurt 2025), Istanbul (shkurt 2025) dhe Alikante (maj 2025).
Takimet e mëparshme u përqendruan në çështje procedurale dhe koordinim strategjik në përgatitje për këtë takim publik.
Seanca në Sarajevë mblodhi së bashku Këshillin Drejtues të Gjykatës, këshillat e specializuara, Trupin këshillues për politikat dhe dëshmitarët ekspertë për katër ditë seancash publike dëgjimore. Gjatë asamblesë katërditore, pjesëmarrësit do të shqyrtojnë raportet hetimore, do të dëgjojnë rrëfime nga dëshmitarë dhe ekspertë, dhe do të diskutojnë draft deklaratën: një dokument gjithëpërfshirës që duhet të shërbejë si referencë për llogaridhënien dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të gjithë botën.
"Gjykata e Gazës" vepron nëpërmjet një organizate të strukturuar që përfshin një Bord Drejtorësh, tre këshilla të specializuara, një Departament për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Rend Botëror, një Departament për Histori, Etikë dhe Filozofi, si dhe organe administrative dhe komitete mbështetëse.
Çdo Këshill do të paraqesë gjetjet dhe rekomandimet e tij gjatë asamblesë në Sarajevë.
Pas Sarajevës, në seancën kryesore dëgjimore, e cila është një nga fazat më të rëndësishme të "Gjykatës së Gazës" dhe do të mbahet në Istanbul në tetor të këtij viti. Komisioni, i cili përfshin ekspertë në fushat e ligjit, kulturës, politikës dhe shoqërisë civile, do të dëgjojë dëshmitë e viktimave dhe dëshmitarëve dhe do të publikojë një draft të vendimit përfundimtar. Përveç kësaj, vendimet që përmbajnë autorizime dhe rekomandime specifike do të publikohen në përputhje me zhvillimet më të fundit në lidhje me procesin para "Gjykatës së Gazës".
"Gjykata e Gazës" u krijua kryesisht për të hetuar dhe vlerësuar akuzat për krime ndërkombëtare, duke përfshirë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe gjenocid, të kryera nga Izraeli pas 7 tetorit 2023.
Gjykata shquhet si një iniciativë e organizuar nga mbrojtës të të drejtave të njeriut, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare dhe organizata joqeveritare ndërkombëtare dhe rajonale që merren me shkeljet e të drejtave të njeriut në Gaza. E themeluar si një iniciativë e pavarur, gjykata synon të tërheqë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare duke vënë në agjendë shkeljet serioze të të drejtave të njeriut të popullit palestinez.
Si pjesë e seancave dëgjimore, ku anëtarët e gjykatës do të përqendrohen në dimensionet e krizës humanitare në Gaza, fokusi do të jetë gjithashtu në mungesën e përgjegjësisë për krimet e vazhdueshme të luftës të Izraelit, si dhe dëshmitë e individëve dhe OJQ-ve të prekura nga këto krime. Izraeli do të gjykohet në mungesë për gjenocid dhe krime lufte në Gaza.
Qëllimi është që gjykata të zhvillojë procedurat në një mënyrë plotësisht transparente, të veprojë në mënyrë të pavarur nga qarqet ndërkombëtare të pushtetit dhe pa kufizime, dhe të përfundojë detyrën e saj brenda një afati kohor të realizueshëm.
"Gjykata e Gazës" synon të ofrojë një forum alternativë për shkeljet e të drejtave të njeriut që institucionet ndërkombëtare gjyqësore si Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) nuk mund t'i adresojnë për shkak të ndikimit politik ose për shkak të vonesës së madhe në përfundimin e çështjeve. Në këtë kuptim, gjykata nuk është një alternativë ndaj GjNP-së dhe GjND-së, por synon të mbështesë këto institucione, me qëllim prodhimin e rezultateve ligjërisht të besueshme dhe rritjen e ndërgjegjësimit global.
Një sesion me titull "E Drejta Ndërkombëtare" do të mbahet sot në Sarajevë. Kjo seancë do të shqyrtojë shkeljet sistemike të kornizave ligjore ndërkombëtare, duke përfshirë ngjarjet e Nakbës, manifestimet e qëllimit gjenocidal dhe dështimet për të mbrojtur civilët.
“Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Rendi Botëror”, më 27 maj, do të përqendrohet në rrethanat gjeopolitike, ekonominë politike të gjenocidit, boshllëqet e llogaridhënies në qeverisjen globale dhe përgjigjet e shoqërisë civile.
"Etika dhe Filozofia", më 28 maj, do të përqendrohet në kontekstin historik të çështjes palestineze, themelet e saj ideologjike, rezistencën ndaj gjenocidit dhe politikat e kujtesës dhe narrativat mediatike.
Sesionet katë-ditore do të përfundojnë me një debat të veçantë mbi Srebrenicën dhe Gazën më 29 maj, pas të cilit do të nxirret Deklarata e Sarajevës.