Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Azerbajxhan, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim me ministrin e Punëve të Jashtme, Jeyhun Bayramov dhe atë të Energjetikës Parviz Shahbazov.
Sipas njoftimit nga Kuvendi, në takimin me ministrin Bayramov, Gashi përshëndeti intensifikimin e komunikimit midis përfaqësuesve qeveritarë të të dy vendeve dhe shtoi se hapen mundësi për bashkëpunim më të madh në të gjitha fushat.
Ministri Bayramov, sipas njoftimit, theksoi se si dy vende mike pa çështje të hapura, duhet të përparojnë bashkëpunimin, jo vetëm në fushat e ekonomisë dhe energjetikës, por edhe në fushën e turizmit.
Të dy bashkëbiseduesit arritën në përfundimin se në kushte të sfidave gjeopolitike, zhvillimi i marrëdhënieve të mira reciproke dhe bashkëpunimit do të promovojë paqen dhe stabilitetin për rajonin më të gjerë, shtoi deklarata.
Ndërkaq, në takimin me ministrin Shahbazov, kryeparlamentari Gashi përshëndeti angazhimet për përforcimin e partneritetit në fushën e furnizimit me gaz, të cilat u shprehën në komunikimin e deritanishëm midis dy vendeve.
Gashi theksoi se është shumë e rëndësishme për ta të sigurojnë kontrata afatgjata të furnizimit me gaz, si dhe investime të mundshme në infrastrukturën e gazit në Maqedoninë e Veriut.
Ministri Shahbazov, nga ana e tij, njoftoi për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut në fushën e furnizimit me gaz natyror dhe njoftoi se në fillim të vjeshtës së këtij viti planifikon të vizitojë Maqedoninë e Veriut.
Në vizitën e tij në Azerbajxhan, kryeparlamentarin Gashi e shoqërojnë edhe deputetët Petar Markov, njëherësh kryetar i Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Azerbajxhanin, deputetja Imërlije Saliu-Fetai si dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska.