Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se ekziston mundësia që ai të takohet me presidentin rus Vlladimir Putin në Moskë mbrëmjen e 9 majit.
Vuçiq, siç ka paralajmëruar më herët, do të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Moskë më 9 maj me rastin e Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore, me ftesë të presidentit rus.
“Mund të shpall një tubim në Nish më 10 ose 11 maj, sepse më 9 maj, nëse e bëj, mund të ndodhë që në mbrëmjen e datës 9 të kem një takim me Putinin për gjithçka, për gazin, naftën dhe gjithçka tjetër”, tha ai gjatë një konference për shtyp në parkun Pionirski në Beograd.
Në fjalimin e tij për publikun të mërkurën, Vuçiq deklaroi se ishte nën presion të madh për shkak të vendimit të tij për të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Moskë, por se ai nuk e kishte ndryshuar vendimin e tij.
"Ne po përballemi me një periudhë të një aktiviteti të jashtëzakonshëm diplomatik, si dhe me presion të madh në lidhje me Paradën e Fitores më 9 maj në Moskë, 80 vjet nga fitorja mbi fashizmin, në të cilën shpallëm pjesëmarrjen time dhe një njësie të ushtrisë serbe. Nuk e di se çfarë do të vendosin të tjerët, nëse ushtria mund t'i rezistojë presionit, por nuk kam ndryshuar deri tani vendimin tim. Jam i gatshëm që i gjithë qielli të më bjerë në kokë”, tha Vuçiq dy ditë pasi BE-ja paralajmëroi zyrtarët evropianë dhe të huaj se Brukseli nuk do t'i merrte lehtë vizitat në Moskë në Ditën e Fitores.