Një mocion mosbesimi kundër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të debatohet më 7 korrik dhe do të votohet më 10 korrik gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian në Francë.
Kjo vjen pas një miratimi nga Konferenca e Presidentëve (COP) me 79 nënshkrime mbështetëse.
"Mocioni i mosbesimit kundër Ursula von der Leyen sapo kaloi nëpër filtrin e Konferencës COP (Konferenca e Presidentëve). Janë 79 nënshkrime. Do të debatohet të hënën e ardhshme dhe do të votohet të enjten e ardhshme në Strasburg", shkroi eurodeputeti rumun, Gheorghe Piperea, i cili paraqiti mocionin.
Kjo rrjedh nga akuzat se von der Leyen shkeli standardet e transparencës së BE-së duke refuzuar të zbulojë mesazhet me tekst të shkëmbyera me shefin ekzekutiv të kompanisë Pfizer, Albert Bourla, gjatë negociatave për vaksinën kundër koronavirusit në vitin 2021.
Pavarësisht një vendimi nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në favor të një gazetari që kërkonte qasje në mesazhe, Komisioni Evropian nuk e ka publikuar korrespondencën.
Piperea, i cili foli për Anadolun, akuzoi Komisionin Evropian për hipokrizi, duke pretenduar se komisioni zbaton standarde të rrepta të sundimit të ligjit në shtetet e Evropës Lindore, ndërsa mbron veten nga shqyrtimi.
Derisa vota e mosbesimit nuk ka gjasa të fitojë shumicën e eurodeputetëve, Piperea argumentoi se ai dërgon një mesazh të fuqishëm simbolik.