Franca dhe disa vende të tjera evropiane po përballen me një valë të fuqishme të nxehtësisë këtë javë, e cila ka shkaktuar alarme të kuqe, mbyllje shkollash, kufizime në transport dhe rritje të rrezikut për zjarre në pyje.
Autoritetet franceze kanë vendosur 16 departamente nën nivelin më të lartë të alarmit të kuq, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 41 grad celsius, njoftoi të martën shërbimi meteorologjik Meteo-France. Ndërkohë, 68 departamente të tjera janë vendosur nën alarm portokalli.
Në Paris, nxehtësia ekstreme ka çuar në mbylljen e Kullës Eiffel për vizitorët. Autoritetet kanë ndaluar qarkullimin e automjeteve ndotëse dhe kanë ulur kufijtë e shpejtësisë, për të përmirësuar cilësinë e ajrit të përkeqësuar nga niveli i lartë i ozonit.
“Mos harroni të mbroheni nga dielli dhe të qëndroni të hidratuar”, njoftuan nga administrata e Kullës Eiffel, ndërsa shatërvanët janë vënë në dispozicion të vizitorëve në zonë.
Për shkak të rritjes së temperaturave të lumit, centrali bërthamor Golfech u mbyll përkohësisht. Sipas kompanisë shtetërore të energjisë elektrike, temperatura e lumit Garonne pritet të arrijë 28 grad celsius, duke e bërë të pamundur funksionimin normal të centralit.
Nxehtësia ka prekur edhe sistemin arsimor: rreth 1.350 shkolla janë mbyllur pjesërisht ose plotësisht në mbarë vendin. Mësuesit raportojnë për klasat e mbinxehura me ventilim të pamjaftueshëm, duke ngritur shqetësime për shëndetin e nxënësve.
Grupet më të ndjeshme, përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, janë këshilluar të marrin masa shtesë mbrojtëse. Mediat lokale raportuan për vdekjen e një burri të moshuar të pastrehë në qytetet Grenoble dhe Besançon, si pasojë e temperaturave ekstreme.
Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi qytetarët për rreziqet e valës së nxehtësisë, përmes një postimi në Platformën X.
“Të kujdesemi për të dashurit, fqinjët dhe kolegët tanë. Të kujdesemi për njëri-tjetrin,” shkroi ai.
Nxehtësia ekstreme përfshin edhe pjesën tjetër të Evropës. Në Spanjë, është regjistruar një rekord i ri për muajin qershor me 46 grad celsius në jug të vendit. Portugalia përjetoi temperatura deri në 40 grad celsius, ndërsa përgjatë bregdetit verior u shfaq një fenomen i rrallë një “re rrotulluese”, që solli erëra të forta dhe qiell të errët, duke habitur pushuesit. Italia shpalli alarm të kuq për vapë në 18 qytete, përfshirë Romën, Milanon dhe Palermon.
Në rajonin e Piemontez, përmbytjet e shkaktuara nga reshjet intensive sollën vdekjen e një burri 70-vjeçar. Zvicra, përfshirë Gjenevën, është vendosur nën alarm të verdhë. Në Holandë, Instituti Mbretëror Meteorologjik (KNMI) ka shpallur alarm portokalli për tre provinca - Noord-Brabant, Gelderland dhe Limburg, si dhe ka aktivizuar Planin Kombëtar të Nxehtësisë që nga e hëna.
Paralajmërimi i OKB-së: “Nxehtësia, një vrasës i heshtur”
Në një konferencë për shtyp në Gjenevë, zëdhënësja e Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM), Clare Nullis, paralajmëroi për rreziqet në rritje nga vala e të nxehtit, duke e cilësuar atë si një “vrasës i heshtur”.
“Sot është 1 korriku - muaji tradicionalisht më i nxehtë i vitit, jo vetëm në hemisferën veriore, por edhe në nivel global”, tha Nullis.
Ajo theksoi se vala aktuale e të nxehtit po ndikohet nga presioni i lartë atmosferik që shtyn ajrin e nxehtë nga Afrika e Veriut drejt Evropës dhe se temperaturat e larta të sipërfaqes së detit në Mesdhe janë një faktor kyç që përkeqëson situatën.
“Po përjetojmë episode të nxehtësisë ekstreme që zakonisht ndodhin më vonë gjatë verës,” shtoi ajo.
Sipas OBM-së, jo vetëm grupet vulnerabël, por të gjithë janë të rrezikuar – përfshirë edhe njerëzit e shëndetshëm që qëndrojnë ose ushtrojnë jashtë.
Qytetet janë veçanërisht të prekura për shkak të “efektit të ishullit urban të nxehtësisë”, ku temperaturat rriten më shumë për shkak të ndërtesave dhe asfaltit.
“Kemi njohuritë, kemi mjetet. Mund të shpëtojmë jetë,” përfundoi Nullis dhe shtoi se “Çdo vdekje nga nxehtësia është e panevojshme.”