Lidhur me situatën e zjarreve në rang vendi, në vetëm 24 orët e fundit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e Shqipërisë ka raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat pesë janë ende aktive dhe një është nën monitorim.
Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Rrogozhinë, Kavajë, Vlorë, Himarë, Selenicë, Librazhd, Malësi e Madhe, Mallakastër dhe Mirditë.
Aktualisht, në qarkun Tiranë vazhdon puna për shuarjen e zjarrit të rënë më 10.07.2025 në fshatin Zambishë, i cili u përhap në fshatrat Okshtun, Levonje, Himenrajë, Memollaj, Thertor, Koçaj, Sheshaj, Brendaj (njësia administrative Lekaj dhe Sinaballaj, bashkia Rrogozhinë).
Mbrëmë, zjarri mori përmasa të mëdha, veçanërisht në fshatrat Thartor, Sheshaj, Prendaj dhe Dakaj, duke kërkuar ndërhyrje nga ajri me dy helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët ndihmuan në fikjen e disa vatrave që rrezikonin banesa, ullishte dhe pyje me pisha.
Në terren punuan forcat zjarrfikëse të bashkisë Rrogozhinë me 6 automjete, 30 efektivë, 20 punonjës të shërbimeve bashkiake, 20 banorë të zonës dhe dy helikopterë të FA-së. Deri tani janë djegur rreth 80-90 ha shkurre dhe ferra si dhe mbi 70 rrënjë ullinj të rinj dhe shekullorë.
Në monitorim vijon të jetë edhe qarku i Elbasanit. Në “Malin Plak”, njësia administrative Polis, bashkia Librazhd, zjarri në një sipërfaqe pyjore ka intensitet të ulët dhe është nën monitorimin e strukturave vendore.
Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, duke shkaktuar djegien e mbi 107 hektarëve dhe rreth 100 rrënjë ullinj.
Mbeten aktive këto vatra në qarkun Dibër, në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, ka vijuar puna për shuarjen e një zjarri në sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh.
Është riaktivizuar vatra në “Malin e Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, që po përhapet drejt “Majës së Vlashës”. Zjarri, i favorizuar nga temperaturat e larta dhe era, është zhvilluar në dy vatra.
Në terren ndodhet Shërbimi Vendor i MZSh-së i bashkisë Bulqizë me 8 efektivë, por pavarësisht përpjekjeve, situata ende nuk është vënë nën kontroll. Nuk ka rrezik për banesa.
Në fshatin Sinë e Sipërme, njësia administrative Arras, bashkia Dibër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll dushku.
Në vendngjarje ndodhen 5 efektivë të MZSh-së Dibër dhe 6 forca bashkiake, të cilët po punojnë me pompa shpine dhe mjete rrethanore në një terren të vështirë. Deri tani janë djegur rreth 4 ha pyll dhe puna për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe sot.
Në qarkun Fier, në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra.
Si pasojë janë djegur rreth 2.5 ha dhe rreth 250 rrënjë ullinj. Sot është riaktivizuar një vatër, ku po operojnë me pompa shpine dhe mjete rrethanore forcat e MZSh-së dhe strukturat bashkiake.
Në fshatin Dragovoje, bashkia Malësi e Madhe, janë djegur edhe 3 objekte që shërbenin për mbajtjen e bagëtive të imta.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 25 automjete zjarrfikëse dhe 305 forca operacionale. Gjithashtu, Forcat e Armatosura kontribuuan me 30 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë.
AKMB-JA bën të ditur se, bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të lokalizuara në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër.
Për zjarret në pyje, sot pritet rrezik “I lartë” në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, dhe rrezik “I moderuar” në qarqet e tjera.
Në disa qarqe pritet rrezik i lartë vetëm në zona të lokalizuara: Shkodër (jug), Durrës (verilindje) dhe Vlorë (veri). Rreziku pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së nesërme.
AKMC-ja shton se, strukturat e mbrojtjes civile mbeten të angazhuara pa ndërprerje për koordinimin dhe ndërhyrjen në kohë për shuarjen e çdo vatre zjarri.
Gjithashtu, AKMC-ja u bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast se konstatojnë zjarre në terren.