Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se procedura për mbylljen e TikTok-ut ka përfunduar për telefonat smart.
Në komunikimin e tij në rrjetet sociale rreth pyetjeve të adresuara nga qytetarët në platformat e mediave sociale, Rama ka folur edhe rreth vendimit për mbylljen e platformës TikTok.
"Procedura për mbylljen e TikTok-ut ka përfunduar për telefonat smart dhe nga ana tjetër dua që të gjithë ta dinë se mënyra për t'iu shmangur bllokimit, duket përdorur të ashtuquajtura VPN falas, është shumë e rrezikshme, pasi dihet botërisht se përmes VPN falas, hakerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit. Duroni pa TikTok ca kohë, deri kur të përfundojmë edhe programin e përbashkët me kompaninë TikTok", është shprehur Rama.
Rama ka theksuar se përfaqësuesit e platformës TikTok së shpejti do të vijnë në Shqipëri dhe do të paraqesin sipas tij planin e rritjes së sigurisë për fëmijët dhe adoleshentët, ndërkohë nuk ka dhënë detaje shtesë.
Më 6 mars 2025, Qeveria e Shqipërisë miratoi vendimin për mbylljen e qasjes në TikTok për 12 muaj, ndërkohë më 13 mars u kërkua nga institucionet për të hyrë në fuqi zyrtarisht mbyllja.
Vendimi në fjalë i cili ka shkaktuar edhe reagime është marrë pas vrasjes të një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij në nëntor të vitit 2024 dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe onlajn.
Qeveria shqiptare ka vendosur ndërprerjen e qasjes në TikTok në territorin e Shqipërisë, sipas autoriteteve deri në momentin që kjo platformë t'i zbatojë standardet e sigurisë dhe moshës për përdoruesit e mitur.
Nga ana tjetër, një grupim i organizatave mediatke dhe të shoqërisë civile kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë kërkesë për shpalljen antikushtetuese të vendimit të Qeverisë së Shqipërisë për bllokimin e platformës TikTok.
Më 18 nëntor të vitit 2024, pas një konflikti mes disa të miturve pranë një shkolle në Tiranë mbeti i vrarë me thikë një nxënës 14-vjeçar dhe një tjetër u plagos.
Kjo ngjarje shkaktoi reagime të organizatave të shoqërisë civile, partive politike dhe prindërve, si dhe protesta në lidhje me sigurinë në shkolla dhe ambientet përreth tyre.