Popullsia e Gazës është zvogëluar për 10 për qind, ndërsa Izraeli vazhdon luftën e tij shkatërruese kundër enklavës palestineze, tregojnë të dhënat zyrtare të publikuara të enjten.
“Palestina, veçanërisht Rripi i Gazës, po përballet me një katastrofë të paprecedentë humanitare dhe demografike për shkak të agresionit izraelit që nga tetori i vitit 2023”, thuhet në një deklaratë të Byrosë Qendrore Palestineze të Statistikave.
Sipas byrosë, mbi 57.000 palestinezë, përfshirë 18.000 fëmijë dhe 12.000 gra – janë vrarë nga sulmet izraelite, çka përbën 2,4 për qind të popullsisë së përgjithshme të Gazës.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se rreth 100.000 palestinezë e kanë braktisur Gazën që nga fillimi i luftës.
Para shpërthimit të luftës, popullsia e Gazës më 2023 ishte 2.226.544 banorë, sipas të dhënave zyrtare.
“Vlerësimet e popullsisë tregojnë se ajo ka rënë në rreth 2.129.724, që përfaqëson një ulje prej 6 për qind krahasuar me projeksionet për mesin e vitit 2024”, njoftoi zyra e statistikes.
“Për më tepër, popullsia ka rënë në 2.114.301, një ulje prej 10 për qind krahasuar me projeksionet për mesin e vitit 2025.”
Byroja paralajmëroi për një “ndryshim thelbësor” dhe shtrembërim në piramidën e moshave të popullsisë, “si pasojë e shënjestrimit të qëllimshëm nga ushtria izraelite të grupmoshave të reja, veçanërisht fëmijëve dhe të rinjve.”
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një proces gjyqësor për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në këtë enklavë.