Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u takua të mërkurën me homologun e tij francez Jean-Noel Barrot në Paris për të diskutuar çështje dypalëshe dhe rajonale.
Të dy trajtuan gjerësisht çështje të ndryshme gjatë takimit të tyre, sipas burimeve të Ministrisë së Jashtme turke.
Fidan thuhet se ka theksuar rëndësinë e rritjes së koordinimit me vendet joanëtare të BE-së në formësimin e arkitekturës së re të sigurisë në Evropë.
Ai shprehu gjithashtu pritshmërinë e Türkiyes që Franca ta mbështesë heqjen e barrierave artificiale që pengojnë marrëdhëniet Türkiye-BE dhe që BE-ja të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.
U diskutua gjithashtu përditësimi i Bashkimit Doganor Türkiye-BE të vitit 1995.
Fidan përsëriti mbështetjen e Türkiyes për përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis të gjithë aleatëve të NATO-s në këtë proces.
Ai nënvizoi se çdo zgjidhje e mundshme duhet të ketë pëlqimin e të dyja palëve për të qenë e qëndrueshme.
Për Sirinë, Fidan theksoi nevojën për një angazhim më të madh me administratën e re të vendit, si dhe bëri thirrje për heqjen e plotë të sanksioneve për të ndihmuar në rivendosjen e paqes dhe stabilitetit.
Ai përcolli pritshmëritë e Türkiyes në lidhje me bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe theksoi rëndësinë e luftimit të grupit terrorist PKK/YPG.
Fidan tha gjithashtu se luftëtarët e huaj terroristë nga ISIS (DAESh) të mbajtur në burgje dhe kampe në veri të Sirisë, duhet të kthehen në vendet e tyre.
Kërcënimi rajonal nga sulmet izraelite në Gaza
Fidan paralajmëroi se sulmet në rritje të Izraelit mund të çojnë në paqëndrueshmëri rajonale dhe përsëriti kundërshtimin e Türkiyes ndaj çdo zhvendosjeje të detyruar të palestinezëve nga atdheu i tyre.
Ai ripohoi mbështetjen e Türkiyes për planin e Gazës të miratuar nga Liga Arabe, duke shtuar se pengimi i ndihmës humanitare nga Izraeli për Gazën po përkeqëson krizën humanitare.
Ai theksoi rëndësinë kritike të sigurimit të dërgimit të pandërprerë të ndihmave në Gaza.
Fidan dhe Barrot diskutuan gjithashtu përpjekjet për të vendosur paqen dhe stabilitetin në Kaukaz.
Të dy shqyrtuan hapat për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shqyrtuan mundësitë për bashkëpunim në sektorin e energjisë.
Në lidhje me zhvillimet e fundit në Türkiye, Fidan kritikoi përdorimin e standardeve të dyfishta kundër Türkiyes dhe theksoi se proceset gjyqësore duhet të lejohen të ecin në rrjedhën e tyre, siç u pa kohët e fundit në Francë dhe Rumani.
Fidan tha gjithashtu se Türkiye po monitoron nga afër zhvillimet në Francë.