BOTA
2 minuta leximi
Si lindi 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve
Falë veprimeve të ndërmarra nga punëtorët gjatë shumë viteve, miliona njerëz kanë fituar të drejtat themelore dhe mbrojtje. Janë vendosur pagat minimale, kufizime në orarin e punës dhe njerëzit kanë të drejtë për pushime të paguara.
Si lindi 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve
Si lindi 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve / AA
1 Maj 2025

Më 1 maj shënohet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Në këtë ditë, njerëzit në shumë vende të botës festojnë arritjet e punëtorëve dhe marshojnë në rrugë duke kërkuar paga të merituara dhe kushte më të mira pune.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve është një festë e njerëzve që punojnë dhe gjithashtu një ditë kur njerëzit protestojnë për punë të denjë dhe pagë të merituar. Falë veprimeve të ndërmarra nga punëtorët gjatë shumë viteve, miliona njerëz kanë fituar të drejtat themelore dhe mbrojtje. Janë vendosur pagat minimale, kufizime në orarin e punës dhe njerëzit kanë të drejtë për pushime të paguara dhe pagesë në rast sëmundjeje.

Ekspertët thonë se që prej krizës globale financiare të vitit 2008, puna me kohë të pjesshme, afatshkurtër dhe e paguar keq është bërë më e zakonshme dhe pensionet shtetërore janë në rrezik anembanë globit. Gjithashtu është vënë re fenomeni “gig economy” ku kompanitë punësojnë njerëz për punë afatshkurtër. Këta punëtorë nuk kanë të drejtat e zakonshme për pushime të paguara, pagë minimale etj. Solidariteti me punëtorët e tjerë është po aq i rëndësishëm sa kurrë.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve i ka fillesat prej ngjarjeve të majit të 1886-ës, kur 400.000 punëtorë të ShBA-së dolën në grevë, duke kërkuar një ditë pune 8-orëshe. Greva filloi në mënyrë paqësore, por në ditën e tretë të protestave në Çikago pati dhunë. Policia qëlloi mbi punëtorët e paarmatosur, duke vrarë disa prej tyre. Të nesërmen pati protesta të tjera dhe dikush hodhi një bombë. 

Shtatë oficerë policie dhe katër punëtorë u vranë nga bomba ose të shtënat e policisë menjëherë pas bombës. Personi që hodhi bombën nuk u identifikua kurrë, por tetë punëtorë u arrestuan. Shtatë prej tyre u dënuan me vdekje dhe një prej tyre u dënua me 15 vjet burg.

Kjo ngjarje, e njohur si Çështja Haymarket u kthye në simbol ndërkombëtar te luftës për të drejtat e punëtorëve dhe 1 maji u zgjodh si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us