Të paktën 57.882 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale izraelite në Gaza që nga tetori 2023, njoftoi Ministria e Shëndetësisë së Rripit të Gazës.
Në njoftim thuhet se në 24 orët e fundit janë dërguar në spitale edhe 59 trupa, ndërsa 208 persona janë plagosur, duke e çuar numrin e të plagosurve që nga fillimi i sulmeve në 138.095.
“Shumë viktima ndodhen ende nën rrënoja dhe nëpër rrugë, ndërsa ekipet e shpëtimit nuk mund t’u afrohen,” thuhet më tej në deklaratë.
Ministria theksoi gjithashtu se në 24 orët e fundit janë vrarë 17 palestinezë dhe janë plagosur 53 të tjerë teksa përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare, duke e çuar në 805 numrin e përgjithshëm të palestinezëve të vrarë nga zjarri izraelit gjatë përpjekjes për të marrë ndihma, ndërsa 5.252 të tjerë janë plagosur që nga 27 maji.
Ushtria izraelite më 18 mars rifilloi sulmet ndaj Gazës, duke shkelur marrëveshjen për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve, e cila kishte hyrë në fuqi në janar. Që nga ajo kohë, në Gaza janë vrarë 7.311 persona dhe janë plagosur 26.054 të tjerë.
Gjykata Penale Ndërkombëtare në nëntor të vitit të kaluar ka lëshuar urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.