Kampionati Evropian i Esports 2025 do të mbahet në Prishtinë, Kosovë, nga data 9 deri më 13 korrik. Ky turne, i njohur si një prej ngjarjeve më të mëdha në sportet elektronike në kontinent, do të mbledhë 36 ekipe nga 24 shtete të Evropës, të cilët do të garojnë në tri disiplina: CS2, CS2 Women dhe Dota2.
Kosova do të përfaqësohet me ekipin e saj kombëtar në të tri kategoritë.
Zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Sportit, Daulina Osmani theksoi se organizimi i kësaj ngjarje është dëshmi e përkushtimit ndaj të rinjve për tu dhënë atyre rastin që të dëshmohen para botës edhe në lojëra elektronike, por gjithashtu edhe hap dyert për të rinjtë e botës.
“Për Kosovën kampionati është shumë më shumë se një garë sportive, është dëshmi konkrete e vizionit tonë për ta bërë Kosovën qendër të inovacionit dhe sportit...Këtë organizim e kemi mbështetur së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ku përmes ngjarjeve si kjo po investojmë në prezantim të kapacitetit të të rinjve tanë që i kemi në arenën ndërkombëtare mirëpo edhe njëkohësisht po i hapim dyert e shtetit tonë për të rinjtë nga Evropa dhe po iu hapim mundësinë që të vijnë e ta shohin një Kosovë dinamike dhe inovative”, tha Osmani.
“Jemi të entuziazmuar që po e sjellim Kampionatin Evropian të Esports në Prishtinë, një qytet me një skenë esports në zhvillim dhe me një komunitet të fortë lojtarësh. Ky event do të shfaqë talentin e jashtëzakonshëm të lojtarëve evropianë dhe do të forcojë rëndësinë në rritje të esports në rajon”, deklaroi Igor Nedeski, Menaxher i Federatës Ndërkombëtare të Esports.
Ky kampionat organizohet nga Federata Esports Kosova me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.