Gjenocidi në Srebrenicë është një traumë kolektive, jo vetëm për boshnjakët si viktima të tij, por për gjithë njerëzimin. Ky ishte mesazhi i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, gjatë fjalimit të tij në hapjen e Konferencës për të Drejtën Ndërkombëtare, Politikën dhe Kujtesën, me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, organizuar nga Fondacioni për Studime Ballkanike në Shkup.
“Më shumë se 8.000 jetë të shuar padrejtësisht nuk janë vetëm histori e trishtë e Srebrenicës, por janë mbi 8.000 tregime dhimbjeje, drama njerëzore të njerëzve të pafajshëm, qindra fëmijë që dhanë frymën e fundit pa një pikë ujë, qindra gra që humbën jetën duke u përpjekur të shpëtojnë fëmijët e tyre, dhe qindra pleq që vdiqën duke shpresuar për një vdekje më të denj. Kjo është një traumë kolektive për njerëzimin, por edhe një thirrje e fortë për drejtësi dhe reflektim,” tha Gashi.
Ai theksoi se, në përvjetorin e 30-të të gjenocidit, është e domosdoshme të kujtojmë dhe të nderojmë viktimat.
“Kur vizitojmë varrezat në Potoçari, çdo gur na qorton që një jetë u shua mizorisht vetëm sepse dikush i përkiste një etnie apo feje ‘të gabuar’ në një kohë dhe vend ‘të gabuar’. Heshtja e vdekur e Potoçarit është një britmë ndërgjegjeje njerëzore që kërkon nga bota të kuptojë sa pak neglizhencë mjafton që një incident të shndërrohet në gjenocid.”
Ai shtoi se për fat të keq, Srebrenica nuk ishte e fundit.
“Një tjetër Srebrenicë po ndodh sot në Gazë në përmasa edhe më të mëdha. Populli palestinez po shfaroset fizikisht, po vdes nga uria, plumbat, dhe bombat. Është e qartë se Srebrenica nuk mjaftoi për Luciferin, dhe mesa duket as Gaza nuk do mjaftojë. Prandaj, përkujtimi i këtij gjenocidi është dëshmi se e vërteta dhe drejtësia nuk kanë afat skadence.”
Gashi theksoi se gjenocidi nuk është çështje e një populli të vetëm dhe nuk i përket vetëm së kaluarës. Është një mesazh për të tashmen dhe të ardhmen. Prandaj, detyra jonë nuk është vetëm të kujtojmë, por të flasim, të mendojmë dhe të nxjerrim mësime.
“"Fatkeqësisht, "tjetri" në Ballkan, qoftë boshnjaku apo shqiptari, ka një shekull që numëron gurët e varreve, ndërsa shumë nga ato viktima ende nuk kanë as një pllakë varri. Po ju kujtoj një ngjarje po aq tronditëse sa Srebrenica. Më 17 prill 1999, forcat gjenocidale të Millosheviqit hynë në fshatin Poklek të Drenicës në Kosovë dhe vranë 53 shqiptarë, mes tyre 24 fëmijë. Për të fshehur gjurmët, trupat i dogjën disa herë, dhe sot janë varrosur në një varr të përbashkët. Kjo është fati i ‘tjetrit’ në një hapësirë të kontaminuar nga urrejtja.”
Duke përmbyllur, Gashi shtroi disa pyetje të forta:
“A kemi bërë mjaft për të ndërtuar një Ballkan ku triumfojnë drejtësia dhe paqja, jo mohimi dhe urrejtja? A kemi edukuar breza që mësojnë për Srebrenicën jo vetëm si kapitull i errët, por si mësim jete? A kemi ndërtuar ura mirëkuptimi apo kemi nxitur ndarje? A kemi kapërcyer identitetet tona të ngushta dhe e kemi parë veten si krijesa të Zotit, të thirrur për përgjegjësi? Këto pyetje kërkojnë jo vetëm përgjigje të sinqerta, por edhe vepra konkrete.”
Ai shtoi se nëse të gjithë, pavarësisht prejardhjes, do të ishin më të kujdesshëm ndaj jetës dhe dinjitetit njerëzor, “as Srebrenica, as Pokleku, as Gaza nuk do të kishin ndodhur.”
“Rëndomësia jonë ndaj tjetrit, arroganca që na bën të mendojmë ‘kjo nuk më ndodh mua’, dhe neglizhenca për njeriun – janë ushqimi i Luciferit që këto gabime i shndërron në tragjedi njerëzore.”
Gashi e përmbylli me fjalët: “Më 11 korrik 1995 nuk u vranë vetëm mbi 8.000 boshnjakë, u vra edhe vetë njerëzimi. Prandaj, ndërsa përulemi me nderim para viktimave të Srebrenicës, ju ftoj të angazhohemi që e kaluara të mos përsëritet. Le të mos ndërtojmë vetëm përmendore, por një shoqëri më të drejtë, më njerëzore dhe më të ndjeshme.”
Pas fjalës së kryetarit të Kuvendit, në kuadër të konferencës ndërkombëtare u zhvilluan tri sesione me pjesëmarrjen e profesorëve universitarë dhe ekspertëve nga Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Kosova, Bullgaria, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.