Zjarri pyjor që shpërtheu mbrëmë në qytezën Pioppo pranë Palermos në ishullin e Siçilisë akoma vazhdon të jetë aktiv, pavarësisht se brigadat zjarrfikëse kanë luftuar për shuarjen e tij që mbrëmë.
Ekipet zjarrfikëse kanë qenë të angazhuar pa ndërprerje për ta vënë nën kontroll zjarrin në Pioppo, por në disa momente flakët janë afruar në mënyrë të rrezikshme pranë zonave të banuara, duke shkaktuar shqetësim në komunitetet përreth.
Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me vegjetacion të dendur, ndërsa për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta, përhapja e tij ka qenë e shpejtë dhe e vështirë për t’u frenuar.
Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për kujdes dhe janë në gatishmëri për evakuime të mundshme nëse situata përkeqësohet. Ende nuk raportohet për të lënduar, por dëmet në mjedis pritet të jenë të konsiderueshme.
Deri më tani, zjarret që kanë përfshirë një pjesë të kontinentit evropian si pasojë e valës ekstreme të të nxehtit, kanë djegur një sipërfaqe sa madhësia e Luksemburgut.
Që nga muaji prill, temperaturat rekord po vazhdojnë të përkeqësojnë situatën me zjarret në pjesë të ndryshme të Evropës. Shumë pjesë të Evropës akoma janë në gjendje alarmi për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme nga zjarret dhe valët e të nxehtit.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, që nga fillimi i vitit janë djegur gjithsej 237.153 hektarë tokë, me 1.250 zjarre të zbuluara deri tani. Vitin e kaluar u regjistruan vetëm 861 zjarre.
Shkencëtarët vlerësojnë se rreth 2.300 njerëz humbën jetën për shkak të temperaturave të larta në 12 qytete evropiane gjatë valës së të nxehtit nga 12 qershori deri më 2 korrik.