RAJONI
2 minuta leximi
Starlink po hyn edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë
Interneti satelitor aktualisht mbulon të gjitha vendet evropiane, përveç Malit të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Serbisë.
Starlink po hyn edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë
Starlink po hyn edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë / AA
24 Prill 2025

Kompania Starlink është e gatshme të hyjë në tregun e Bosnjë dhe Hercegovinës si ofrues i shërbimit satelitor të internetit, u konfirmua në një takim midis Ministres së Komunikacioneve dhe Transportit të Bosnjë dhe Hercegovinës, Edina Forto, me Drejtoreshën për Tregjet e Reja të Starlink, Rebecca Hunter dhe menaxherin e kompanisë, Prakul Kapoor.

Takimi theksoi interesin e ndërsjellë për të ofruar shërbime Starlink, ose internetin e tyre satelitor, në Bosnjë dhe Hercegovinë sa më shpejt të jetë e mundur.

Gjithashtu, pas përmbushjes së kërkesave ligjore për ofrimin e shërbimeve në BeH, u shpreh gatishmëria për bashkëpunim në fushën e e-qeverisjes, përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, si dhe zhvillimin e një sistemi të reagimit të shpejtë në rast të fatkeqësive natyrore.

Takimi u mbajt në Uashington, në kuadër të Takimeve të Pranverës të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku ministrja Forto merr pjesë në rolin e zëvendësguvernatorit të BeH-së në Bankën Botërore.

Një hartë e mbulimit global të internetit satelitore tregon se Starlink, një projekt i SpaceX, tashmë mbulon pothuajse të gjithë kontinentin evropian. Aktualisht, të gjitha vendet evropiane janë të përfshira në këtë rrjet, përveç Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë.

Kosova është vendi i fundit në rajon që është bërë pjesë e rrjetit Starlink, në dhjetor të vitit të kaluar. Në atë kohë, kompania njoftoi se Mali i Zi dhe Serbia do të përfshiheshin në sistem në vitin 2025, ndërsa për Bosnjë e Hercegovinën thuhej se data e ofrimit të shërbimit ishte "aktualisht e panjohur".

Ndërkohë, sipas të dhënave të përditësuara në hartën zyrtare të mbulimit, Starlink thekson se shërbimi do të nisë këtë vit edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Starlink është një shërbim interneti satelitor me shpejtësi të lartë, sinjali i të cilit dërgohet në Tokë duke përdorur satelitë në formacion plejade dhe të vendosur më poshtë se satelitët standardë. Këta satelitë mundësojnë transmetim të shpejtë të të dhënave në zonat rurale ku nuk ka të instaluar infrastrukturë fizike interneti.

Projekti Starlink, i cili përbëhet nga më shumë se 5.000 satelitë, është një përpjekje për të kapërcyer ndarjen digjitale dhe për të ofruar qasje në internet për komunitetet e pashërbyera në mbarë botën.


Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us