RAJONI
3 minuta leximi
Vijon situata kritike e zjarreve pyjore në afërsi të kufirit Maqedoni e Veriut-Kosovë
Qendra për Menaxhimin e Krizave në Maqedoninë e Veriut (QMK) njoftoi se deri në orën 07:00 janë regjistruar gjithsej 32 vatra zjarri aktive në mbarë vendin.
Vijon situata kritike e zjarreve pyjore në afërsi të kufirit Maqedoni e Veriut-Kosovë
Vijon situata kritike e zjarreve pyjore në afërsi të kufirit Maqedoni e Veriut-Kosovë / AA
8 Korrik 2025

Zjarri pyjor që shpërtheu të dielën në zonën pyjore midis fshatit Bllacë dhe komunës së Çuçer Sandevës, rajon në afërsi të kufirit Maqedoni e Veriut-Kosovë vijon ende, ndërsa ekipet janë në terren në përpjekje për të vënë nën kontroll zjarrin.

Ekipi i Anadolus ka regjistruar momentet e helikopterëve që ndërhyjnë për të shuar zjarret, ndërkaq nga imazhet në terren mund të shihen edhe pasojat e zjarrit që mbrëmjen e kaluar e rritën intensitetin.

Qendra për Menaxhimin e Krizave në Maqedoninë e Veriut (QMK) njoftoi se deri në orën 07:00 të mëngjesit janë regjistruar gjithsej 32 vatra zjarri në ambiente të hapura në mbarë vendin.

Sipas QMK-së, 7 prej tyre janë ende aktive ndërsa një i lokalizuar, një nën kontroll si dhe 23 të shuar. Në mesin e zjarreve aktive sipas QMK-së është edhe ai në Komunën e Çuçer Sandevës, ku zjarri ka përfshirë pyll të përzier dhe vegjetacion të ulët.

Ministria e Punëve të Brendshme në një njoftim tha se që nga orët e mëngjesit, dy helikopterë nga Njësia e Helikopterëve të Policisë së Ministrisë së Brendshme, të tipit "Bell 412" dhe "Agusta Bell 212", kanë marrë pjesë intensivisht në shuarjen e zjarrit në afërsi të Çuçer Sandevës.

Ministria tha se deri më tani janë lëshuar mbi 70 tonë ujë, në përpjekje për shuarjen e zjarrit.

Si pasojë e përhapjes së zjarrit në afërsi të Bllacës, autoritetet e Maqedonisë së Veriut dje njoftuan se trafiku në rrugën Stenkovec-Bllacë është ndërprerë plotësisht në të dy drejtimet, përfshirë edhe pikën kufitare drejt Kosovës. Ndërsa më pas kufiri u hap përsëri.

Rreziku i zjarreve në vend është i lartë

Gjithashtu në fund të muajit të kaluar qeveria njoftoi se hyrja në pyje është e ndaluar mes 1 korrikut dhe 31 gushtit.

Duke marrë parasysh mundësinë e një rreziku në rritje të zjarreve pyjore në zona të hapura gjatë muajve të verës, ata që nuk i përmbahen këtij vendimi, i cili u mor për të parandaluar zjarret, do të gjobiten midis 1.500 dhe 2.000 eurove.

Rreziku i zjarreve në pyje në vend është i lartë dhe qytetarët paralajmërohen të jenë të kujdesshëm. Drejtoria për Çështjet Hidrometeorologjike njoftoi se sot vendi do të përfshihet nga mot me diell dhe shumë i nxehtë, me temperatura që do të arrijnë mbi 40 gradë Celsius.

Ministria e Brendshme në buletinin e ngjarjeve ditore dje njoftoi se ditë më parë trupi i një personi dhe bagëti të djegura janë gjetur nga zjarrfikësit ditë më parë pas shuarjes së një zjarri që shpërtheu pranë urës së Lepencit në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us