Shpallja e vendimit për heqjen dorë nga armët dhe shpërbërjen e organizatës terroriste separatiste është një tregues i qartë se procesi për një Türkiye pa terror, i udhëhequr nën drejtimin e Presidentit tonë të nderuar, Recep Tayyip Erdoğan, ka kaluar në një fazë të rëndësishme me sukses dhe forcë të shtuar, shkruan në X kreu i Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Türkiyes, Fahrettin Altun.
“Türkiye, gjatë këtij procesi që ka zgjatur për më shumë se 40 vite, ka paguar një kosto të lartë, ka kaluar vështirësi të mëdha dhe, më e rëndësishmja, ka humbur bijtë e saj të shtrenjtë, të cilët ranë dëshmorë për atdheun. Me këtë rast, kujtojmë me mëshirë dhe mirënjohje të thellë të gjithë dëshmorët të shrenjtë, të cilët kanë dhënë kontributin më të madh dhe të pashoq në arritjen e kësaj dite”, shprehet Altun.
“Pa dyshim, procesi për një Türkiye pa terror nuk është një proces afatshkurtër dhe sipërfaqësor që ka nisur dje dhe as nuk do të përfundojë shumë shpejt nesër. Republika e Türkiyes do të vazhdojë të punojë me të gjitha njohuritë, kapacitetin dhe përvojën e saj për të siguruar një ambient ku vendi ynë i bukur dhe kombi ynë i shtrenjtë të jenë larg terrorit, dhunës dhe kaosit: një ambient ku mbizotërojnë paqja, stabiliteti dhe qetësia”, thotë Altun.
Drejtori i Presidencës së Komunikimeve turke, thekson se për të siguruar që ky proces të ecë në mënyrë të shëndetshme dhe të pandërprerë, do të merren masat e nevojshme dhe të gjitha hapat do të hidhen me kujdes dhe transparencë, me vendosmëri dhe përpikëri.
“Kombi ynë i nderuar, në çdo rast, ka treguar mbështetjen e tij për vullnetin politik të shfaqur nga shteti ynë, qeveria jonë dhe Presidenti ynë i nderuar”, shkruan Altun.
Mes tjerash ai uroi që ecja drejt një Türkiye pa terror, e nisur me thirrjen e Kryetarit të MHP-së, Devlet Bahçeli, dhe e vazhduar me vullnetin dhe udhëheqjen e Presidentit tonë të nderuar, Recep Tayyip Erdoğan, duke ecur krah për krah populli dhe shteti, të sjellë të mira për vendin dhe rajonin tonë.