Katari deklaroi të hënën se po përpiqet t'i rifillojë negociatat mes Izraelit dhe Hamasit për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majid al-Ansari, tha gjithashtu se Doha po punon për të arritur një marrëveshje më të gjerë mbi programin bërthamor të Iranit.
“Nuk ka bisedime aktuale për armëpushim në Rripin e Gazës,” tha Ansari në një konferencë shtypi në Doha. “Komunikimet janë duke u zhvilluar për të arritur një formulë për t'u rikthyer në negociata”, shtoi ai, pa dhënë detaje të tjera.
“Po shohim një gjuhë pozitive nga Uashingtoni në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje për Gazën dhe ka qëllime serioze nga ana e tyre për të shtyrë përpara rifillimin e negociatave, por situata është e ndërlikuar”, theksoi zëdhënësi.
Të dielën, ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty deklaroi se Kajroja po punon për një marrëveshje të re që do të përfshinte një armëpushim 60-ditor në këmbim të lirimit të disa pengjeve izraelite dhe hyrjes së menjëhershme të ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar.
“Katar vazhdon të ushtrojë presion përmes partnerëve tanë për të ndarë procesin e negociatave nga hyrja e ndihmave në Gaza,” tha Ansari. “Këmbëngulja e Izraelit pengon hyrjen e ndihmave në Gaza. Është e papranueshme të vazhdohet me lidhjen e çështjeve humanitare me ato ushtarake në Gaza.”
Më 19 janar, Egjipti, Katari dhe ShBA-ja ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi me tre faza midis Izraelit dhe Hamasit, me synimin për t’i dhënë fund luftës shkatërrimtare izraelite në Gaza.
Megjithatë, marrëveshja u prish pasi Izraeli rifilloi ofensivën më 18 mars.
Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vrarë mbi 56.500 palestinezë në Gaza që nga tetori i vitit 2023.
Programi bërthamor i Iranit
Zëdhënësi i Katarit deklaroi se Doha është angazhuar në përpjekje aktive për të arritur një marrëveshje më të gjerë për programin bërthamor iranian.
“Përpjekjet vazhdojnë për të arritur një marrëveshje më të gjerë mbi programin bërthamor të Iranit,” tha Ansari, pa dhënë detaje të tjera.
Një konflikt mes Izraelit dhe Iranit shpërtheu më 13 qershor, kur Izraeli kreu sulme ajrore ndaj objekteve ushtarake, bërthamore dhe civile të Iranit, duke vrarë të paktën 935 persona dhe plagosur 5.332, sipas autoriteteve iraniane.
ShBA-ja ndërkohë bombardoi objektet bërthamore iraniane Fordo, Natanz dhe Isfahan, duke e përshkallëzuar më tej konfliktin.
Në kundërpërgjigje, Teherani nisi sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, duke shkaktuar të paktën 29 të vdekur dhe mbi 3.400 të plagosur, sipas të dhënave të Universitetit Hebraik të Jerusalemit.
Konflikti u ndal nën një armëpushim të sponsorizuar nga ShBA-ja, që hyri në fuqi më 24 qershor.