Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, do të nënshkruajë sot një urdhër ekzekutiv për ta ndërprerë programin e sanksioneve të ShBA-së ndaj Sirisë, raportoi Shtëpia e Bardhë.
Duke folur para gazetarëve në konferencën e përditshme, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se ky veprim synon të mbështesë “rrugën e Sirisë drejt stabilitetit dhe paqes”.
“Urdhri do të heqë sanksionet ndaj Sirisë, duke ruajtur sanksionet ndaj ish-presidentit Asad, bashkëpunëtorëve të tij, abuzuesve të të drejtave të njeriut, trafikantëve të drogës, personave të lidhur me aktivitetet e armëve kimike, DEASh-it dhe bashkëpunëtorëve të tyre, dhe përfaqësuesve iranianë”, shtoi ajo.
“Ky është përsëri një veprim që presidenti premtoi dhe tronditi botën me të në Arabinë Saudite, sepse ai është i përkushtuar për të mbështetur një Siri që është e qëndrueshme, e bashkuar dhe në paqe me veten dhe fqinjët e saj”, u shpreh Sekretarja e Shtypit.
Muajin e kaluar, Trump njoftoi në një forum investimesh në Riad se do të hiqte sanksionet “brutale dhe paralizuese” ndaj Sirisë. Një ditë më vonë, ai zhvilloi një takim historik me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa në Arabinë Saudite, takimi i parë midis udhëheqësish amerikanë dhe sirianë në 25 vjet.
Bashar al-Asad, i cili sundoi Sirinë për gati një çerek shekulli, u arratis në Rusi më 8 dhjetor 2024, duke shënuar fundin e sundimit dhjetëvjeçar të Partisë Baath, i cili filloi në vitin 1963.
Al-Sharaa, i cili udhëhoqi forcat anti regjimit që rrëzuan Asadin, u shpall president për një periudhë kalimtare në fund të janarit.