BOTA
3 minuta leximi
Britania vlerëson përpjekjet e Türkiyes për ndërmjetësimin e paqes në konfliktin Rusi-Ukrainë
“Marrëdhënia mes Britanisë dhe Türkiyes mbështetet në një nga partneritetet më të forta strategjike”, tha ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy.
Britania vlerëson përpjekjet e Türkiyes për ndërmjetësimin e paqes në konfliktin Rusi-Ukrainë
Kryediplomati britanik vlerëson përpjekjet e Türkiyes për ndërmjetësimin e paqes në konfliktin Rusi-Ukrainë / AA
11 orë më parë

Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, të hënën vlerësoi kontributet thelbësore të Türkiyes në rajonin përreth saj, duke theksuar përpjekjet e vendosura të Ankarasë për të frenuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe për të arritur një armëpushim të shumëpritur.

Pas takimit të tij me ministrin e Jashtëm të Türkiyes, Hakan Fidan, në kryeqytetin turk Ankara, Lammy dha deklaratë për shtyp.

Duke kujtuar se ka shërbyer si ministër i Jashtëm për një vit, Lammy tha: “Mund të them me siguri se gjatë këtyre 12 muajve në detyrë nuk ka kaluar asnjë muaj pa u takuar ose folur shpesh më shumë se një herë me ministrin Hakan Fidan.”

Ai theksoi se kjo frekuencë e kontakteve pasqyron bashkëpunimin e ngushtë mes Türkiyes dhe Britanisë dhe përmendi lidhjet e thella kulturore ndërmjet dy vendeve.

Lammy vuri në dukje se rreth pesë milionë shtetas britanikë pritet të udhëtojnë drejt Türkiyes këtë vit, duke nënvizuar mikpritjen dhe tërheqjen që ofron ky vend. Ai shtoi se edhe një numër i konsiderueshëm shtetasish turq udhëtojnë drejt Britanisë.

Ministri britanik theksoi gjithashtu se zona e tij zgjedhore përfshin komunitete turqishtfolëse të vendosura prej kohësh, duke shtuar: “Marrëdhënia mes Britanisë dhe Türkiyes mbështetet në një nga partneritetet më të forta strategjike.”

Ai theksoi përkushtimin e përbashkët të të dy vendeve për thellimin e bashkëpunimit dhe e përmendi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë si një hap kyç për forcimin e këtyre lidhjeve.

“Presim me padurim negociatat gjatë javëve dhe muajve në vijim për të arritur në atë marrëveshje tregtare”, tha ai, duke shtuar se “ajo marrëveshje do të ndërtohet mbi një volum tregtie prej 28 miliardë £ (38.4 miliardë $)... Industria dhe bizneset turke që punojnë në partneritet, shpesh të vendosura në Mbretërinë e Bashkuar janë dëshmi e këtij bashkëpunimi të fortë ekonomik dhe njerëzor.”

Duke komentuar kohën e takimit me ministrin Fidan në një kontekst gjeopolitik sfidues, Lammy tha: “Jam jashtëzakonisht mirënjohës për punën që Türkiye ka bërë për të ndërmjetësuar paqen, për të ndalur agresionin e (presidentit rus Vladimir) Putin ndaj Ukrainës, për të sjellë paqe në rajonin e Detit të Zi dhe për të arritur atë armëpushim që e kemi kërkuar prej kohësh, në mënyrë që të ndalet humbja e madhe e jetëve.”

Ai përmendi gjithashtu koston e rëndë të luftës, me mbi një milion ushtarë rusë të vrarë, si dhe sulmet e vazhdueshme ndaj infrastrukturës energjetike dhe popullsisë civile të Ukrainës.

Në lidhje me krizën në Gaza, Lammy tha se të dy vendet janë shumë të vetëdijshme për vuajtjet atje: “Asnjëri prej nesh nuk i ka harruar vuajtjet që kemi parë.”

Ai theksoi përpjekjet e përbashkëta për të lehtësuar krizën humanitare dhe ritheksoi një angazhim “krejtësisht të qartë” për arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete për popullin palestinez.

Ai shtoi gjithashtu se Siria ishte një temë kyçe gjatë takimit, duke nënvizuar bashkëpunimin e fortë mes Britanisë dhe Türkiyes.

“Jam shumë mirënjohës për të gjithë atë punë të rëndësishme që bëni me ne, z. ministër Fidan”, tha Lammy. 

“Kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë pune dhe besoj se në muajt e ardhshëm do të shohim edhe më shumë bashkëpunim mes Britanisë së Madhe dhe Türkiyes në këtë moment gjeopolitik kaq të vështirë e sfidues.”


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us