Gjermania të hënën i kërkoi Izraelit ta rifillojë furnizimin e Rripit të Gazës me energji elektrike dhe ndihma humanitare.
Ministri izraelit i Energjisë Eli Cohen urdhëroi të dielën që të ndërpritet i gjithë furnizimi me energji elektrike në Gaza.
Njoftimi erdhi një javë pasi Izraeli ndërpreu të gjitha furnizimet me ndihma për enklavën, e cila ka një popullsi prej më shumë se 2 milion njerëz.
Ndërprerja e furnizimit me energji elektrike në Gaza dhe diskutimi për ndalimin e furnizimit me ujë janë "të papranueshme dhe të papajtueshme me detyrimet e Izraelit sipas ligjit ndërkombëtar", u tha gazetarëve në Berlin zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Kathrin Deschauer.
Qeveria gjermane është "shumë e shqetësuar" për zhvillimet dhe po i bën thirrje qeverisë izraelite "të heqë përsëri kufizimet e importit në Gaza për të gjitha format e ndihmës humanitare me efekt të menjëhershëm", shtoi ajo.
Deschauer theksoi se dhënia ose refuzimi i ndihmës humanitare nuk është "një mjet legjitim për të ushtruar presion" në negociata.
Izraeli duhet të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar duke "siguruar furnizimet bazë të nevojshme urgjentisht dhe mbështetjes humanitare në të gjithë Rripin e Gazës", tha ajo.
Kufizimi i ushqimit dhe ujit është "shkatërrues", veçanërisht gjatë muajit të agjërimit të Ramazanit, tha Deschauer.
Javën e kaluar, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe shprehën “shqetësim të thellë” për pezullimin e ndihmës humanitare nga Izraeli për Gazën, duke u kërkuar palëve që të angazhohen në negocimin e fazave pasuese të marrëveshjes së armëpushimit.
Izraeli ndaloi dërgesat e ndihmave vetëm disa orë pasi skadoi faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve midis Hamasit dhe Tel Avivit.
Faza e parë gjashtëjavore e marrëveshjes së armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 19 janar, përfundoi zyrtarisht më 1 mars.
Izraeli nuk ka pranuar të shkojë përpara në fazën e dytë të marrëveshjes për t'i dhënë fund përfundimisht luftës në Gaza, e cila ka vrarë më shumë se 48.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.