RAJONI
3 minuta leximi
Costa mbërrin në Beograd: Turne në Ballkan për ta forcuar bashkëpunimin me BE-në
Presidenti i Këshillit Evropian takohet me liderët serbë të martën, e më pas do ta vizitojë Sarajevën, Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën si pjesë e "forcimit të bashkëpunimit me rajonin".
Costa mbërrin në Beograd: Turne në Ballkan për ta forcuar bashkëpunimin me BE-në
Costa mbërrin në Beograd: Turne në Ballkan për ta forcuar bashkëpunimin me BE-në / AA
12 Maj 2025

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e filloi turneun e tij në Ballkanin Perëndimor me një vizitë në Serbi, ku u prit nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në aeroportin e Beogradit të hënën në mbrëmje.

“I uroj mirëseardhje Presidentit të Këshillit Evropian, me të cilin do të kem mundësinë të diskutojmë nesër çështjet kryesore të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe sfidat me të cilat përballemi në atë rrugë”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Ai deklaroi se Serbia është e përkushtuar ta vazhdojë rrugën e saj evropiane, e gatshme të punojë me një qasje të përgjegjshme dhe partnere për çështje të rëndësishme për paqen dhe prosperitetin e qytetarëve të saj.

"Unë besoj në rëndësinë e madhe të dialogut, komunikimit të hapur dhe të drejtpërdrejtë në kohë rrethanash komplekse gjeopolitike", theksoi ai.

Pjesa zyrtare e vizitës së Costas do të fillojë të martën, ku ai do të pritet me nderime ushtarake përpara Pallatit të Serbisë në Beograd. Takimi me Vuçiqin do të pasohet nga bisedime plenare midis delegacioneve të Serbisë dhe Bashkimit Evropian të udhëhequra nga Vuçiq dhe Costa, të ndjekura nga deklarata për median.

Përpara turneut të tij në Ballkanin Perëndimor, Costa tha se forcimi i bashkëpunimit me rajonin është "një përparësi kryesore politike për BE-në" dhe për të personalisht.

"Po vizitoj rajonin për të diskutuar sfidat e vazhdueshme me udhëheqësit dhe për të treguar se BE-ja është e gatshme të ndihmojë. Ekziston një vrull i qartë për zgjerim; por vrulli kërkon angazhim dhe ndjekje të mëtejshme", tha ai.

Presidenti i Këshillit Evropian do të udhëtojë për në Sarajevë të martën pasdite, ku do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhe do ta vizitojë selinë e EUFOR-it.

Gjatë turneut të tij në Ballkanin Perëndimor, Costa do të takohet me udhëheqësit politikë të Malit të Zi dhe Kosovës më 14 maj dhe do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut më 15 maj. Ndalesa e tij e fundit në Ballkanin Perëndimor do të jetë Tirana, ku ai do të takohet me udhëheqjen politike të Shqipërisë më 15 maj, dhe më 16 maj, si bashkorganizator, do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Takimet e Komunitetit Politik Evropian bashkojnë vendet në kontinentin evropian dhe ofrojnë një platformë për koordinim më të thellë politik. Tema e samitit të këtij viti është "Një Evropë e Re në një Botë të Re: Unitet - Bashkëpunim - Veprim i Përbashkët". 

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us