Oda Ekonomike Maqedoni-Türkiye (MATTO) organizoi sonte mbrëmje iftari në kryeqytetin Shkup.
Në programin e iftarit morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve Ivan Stoilkoviq, ambasadori i Türkiyes në Shkup Fatih Ulusoy, ministra dhe deputetë të Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe shumë mysafirë.
Në fjalën e tij të rastit, ambasadori Ulusoy tha se Türkiye dhe Maqedonia e Veriut kanë lidhje shumë të ngushta që forcohen nga historia e tyre e përbashkët.
Duke theksuar se Maqedonia e Veriut dhe Türkiye kanë një partneritet të bazuar në bashkëpunimin e ndërsjellë dhe aleancën e NATO-s, Ulusoy kujtoi se me dokumentin e nënshkruar nga kryeministri Mickoski me presidentin Recep Tayyip Erdoğan në Istanbul më 28 shkurt, u krijua Këshilli i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes dy vendeve, dhe u shënua dhe u konfirmua partneriteti strategjik.
Ambasadori turk theksoi se Maqedonia e Veriut është një vend i rëndësishëm si për Ballkanin, ashtu edhe për pjesët e tjera të botës, me etnitë dhe kulturat e ndryshme që jetojnë në respekt dhe besim të ndërsjellë.
“Me shumë kompani dhe organizata që operojnë në këtë vend, Türkiye vazhdon lidhjet e saj ekonomike dhe investimet me Maqedoninë e Veriut në shumë fusha, veçanërisht bankat, arsimin, kulturën, shëndetësinë, industrinë e mbrojtjes dhe prodhimin industrial. Qytetarët e emigruar nga Maqedonia e Veriut në Türkiye në të kaluarën dhe turqit që jetojnë në Maqedoninë e Veriut prej shekujsh e thellojnë çdo ditë lidhjen mes popujve tanë. Komuniteti turk i Maqedonisë së Veriut vazhdon të japë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vendit në çdo fushë”, theksoi Ulusoy.
“Kompanitë turke ofrojnë punësim për 10 mijë njerëz në këtë vend të bukur”
Ulusoy tha se Türkiye është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë së Veriut dhe se dy vendet kanë një vullnet të përbashkët për të rritur në 2 miliardë dollarë vëllimin tregtar dypalësh, i cili aktualisht po i afrohet shifrës 1 miliard dollarë. Ai shtoi se MATTO dhe kompanitë anëtare të MATTO-s kanë përgjegjësi të mëdha në këtë drejtim.
Ulusoy vuri në dukje se industria e mbrojtjes është një fushë prioritare për Türkiyen në marrëdhëniet e saj me Maqedoninë e Veriut dhe përcolli se turizmi është një tjetër dimension i rëndësishëm i marrëdhënieve ekonomike.
“Dëshiroj të theksoj se MATTO jo vetëm që zhvillon marrëdhëniet ekonomike, por edhe thellon lidhjet midis popujve të vendeve. Kompanitë turke ofrojnë punësim për 10 mijë njerëz në këtë vend të bukur dhe luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i MATTO-s, Ajdovan Ademoski, falënderoi pjesëmarrësit në mbrëmje, duke theksuar: “Kjo mbrëmje është një mbrëmje që na bashkon të gjithëve, një mbrëmje që flet për vëllazërinë, bashkimin dhe kohezionin tonë dhe shpresoj që pas kësaj mbrëmjeje të gjithë të bëjmë gjëra më të mira për atdheun tonë”.