Türkiye po përjeton një rritje të ndjeshme të zjarreve në pyje me nisjen e sezonit të verës, ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë se që nga 1 qershori janë regjistruar 1.516 zjarre.
Në një deklaratë në platformën X të hënën, Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan konfirmoi se ekipet zjarrfikëse po punojnë ditë e natë, të mbështetura nga një flotë ajrore e gjerë me 27 avionë, 105 helikopterë dhe 14 dronë për ta përballuar këtë sfidë.
Gati 6.000 automjete zjarrfikëse dhe automjete të ndërhyrjes së shpejtë, së bashku me 25.000 punonjës të pylltarisë, janë mobilizuar për të vënë nën kontroll flakët.
“Deri tani, 1.507 zjarre janë vënë nën kontroll. Ekipet ajrore kanë kryer 10.260 fluturime, duke hedhur mbi 33.000 tonë ujë për të shuar flakët”, bëri të ditur Erdoğan.
Presidenti turk gjithashtu bëri të ditur se 31 persona janë arrestuar si të dyshuar për vënien e qëllimshme të zjarreve. Dhjetë prej tyre janë arrestuar zyrtarisht, ndërsa dhjetë të tjerë janë lënë të lirë me mbikëqyrje gjyqësore deri në përfundimin e hetimeve.
Presidenti Erdoğan u shprehu mbështetje qytetarëve të prekur nga zjarret dhe paralajmëroi se pothuajse të gjitha zjarret në pyje, për fat të keq, shkaktohen nga pakujdesia ose qëllimi i njerëzve.
“Shteti ynë, sigurisht, po merr çdo masë të mundshme, por dua t'ua kujtoj të gjithëve se masa më e rëndësishme është të shmangim shkaktimin e zjarreve në radhë të parë”, tha Erdoğan, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë dy muajve të ardhshëm për të mbrojtur ‘Atdheun e Gjelbër’ të Türkiyes.