Në Shqipëri po mbahet Samiti i Gjashtë i Komunitetit Politik Evropian me moton "Evropa e re në një botë të re", duke mbledhur së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish si dhe përfaqësues të institucioneve kryesore ndërkombëtare.
Në fjalën hapëse në sesionin e parë të samitit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se nga bashkëpunimi nuk ka humbës.
Rama theksoi se për vizionarët e projektit evropian, "Türkiye do të kishte qenë një partner i domosdoshëm në çdo bashkim paqeje të përhershme", por sipas tij ai projekt "dështoi".
"Është vërtet një nder i jashtëzakonshëm për gjithë popullin shqiptar. Keni ardhur në një moment mjaft domethënës në këtë vend", tha Rama duke iu drejtuar liderëve pjesëmarrës në samit.
Rama theksoi se Bashkimi Evropian i mësoi se edhe ish-armiqtë mund të bëheshin bashkë, sipas tij "edhe pse me plagë të hapura nga lufta dhe të krijonin një lidhje të përjetshme".
"Nuk duhet ta harrojmë Evropën e arsyes njerëzore dhe përpjekjes për një paqe të përhershme jo vetëm mes vetes, por edhe me armiqtë tanë. Evropa për ne është një vend po kaq i bashkëndarë shpirtëror siç është një mozaik rajonesh, gjuhës e besimesh të ndryshme fetare", tha ai.
Rama shtoi se beteja e tyre duhet të jetë diçka që lidhet me atë se çfarë mund të bëjnë për veten, fëmijët dhe për Evropën.
Në samit marrin pjesë liderët e vendeve anëtarë të BE-së, vendeve të rajonit, si të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe vendeve të tjera evropiane, si dhe udhëheqës të institucioneve të BE-së dhe përfaqësues të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.
Në përfundim të punimeve të samitit do të mbahet një konferencë për media nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, vendi i së cilës do ta presë vitin e ardhshëm Samitin e Komunitetit Politik Evropian.