TÜRKİYE
3 minuta leximi
Studenti turk fiton çmimin e parë në Portugali me aplikacion udhëtimi të bazuar në IA
Aplikacioni cakton detyra eksplorimi nëpër qytet dhe i udhëzon përdoruesit drejt pikave kryesore kulturore, një mjet i dobishëm për vizitorët që janë për herë të parë në një vend.
Studenti turk fiton çmimin e parë në Portugali me aplikacion udhëtimi të bazuar në IA
Studenti turk fiton çmimin e parë në Portugali me aplikacion udhëtimi të bazuar në IA / AA
9 Korrik 2025

Një student turk i inxhinierisë kompjuterike ka fituar çmimin e parë në një ngjarje të madhe teknologjike ndërkombëtare në Portugali, me një aplikacion udhëtimi të fuqizuar nga inteligjenca artificiale, i frymëzuar nga përvoja e tij jashtë vendit.

Yusuf Yilmaz, student në Universitetin Teknik Yildiz në Istanbul, zhvilloi aplikacionin pas vështirësive që përjetoi gjatë udhëtimeve nëpër Evropë, gjatë një shkëmbimi pesëmujorsh në kuadër të Erasmusit në Portugali vitin e kaluar.

Projekti i tij, një asistent udhëtimi interaktiv që nxit njohjen kulturore përmes lojërave dhe kuizeve, fitoi vendin e parë në kategorinë "Gamification" në Shift APPens 2025, një ngjarje e rëndësishme për softuerin dhe inovacionin në Portugali.

Aplikacioni përdor të dhënat e vendndodhjes për të krijuar pyetje në kohë reale rreth monumenteve kulturore përreth dhe u cakton përdoruesve detyra për t’i inkurajuar të eksplorojnë mjedisin e tyre.

Aktualisht i disponueshëm si një demo në shfletues web, por Yilmaz planifikon ta lansojë versionin mobil të aplikacionit në muajt në vijim.

"Fitimi i vendit të parë ishte ëndrra ime që nga viti i kaluar"

Duke folur për Anadolu, Yilmaz tha se ideja e aplikacionit lindi nga përvojat e tij personale në udhëtime.

“Vitin e kaluar, udhëtova nëpër disa shtete evropiane gjatë qëndrimit tim në Portugali me Erasmus. Më pëlqeu shumë të mësoja për kulturat e vendeve që vizitova, prej andej më lindi ideja,” tha ai.

“Fitimi i vendit të parë ishte ëndrra ime që nga viti i kaluar. Kjo ishte hera ime e dytë që merrja pjesë në këtë garë. Mora pjesë edhe kur isha student Erasmus. Mikpritja që përjetova më tërhoqi shumë. Madje, pa u mbyllur ende gara e vitit të kaluar, unë e kisha vendosur që do të kthehesha këtë vit. E përfundova projektin dhe ia prezantova jurisë dhe fitova.”

Yilmaz shtoi se përgatitja manuale e pyetjeve dhe përmbajtjes për çdo vend do të merrte shumë kohë, ndaj përdori inteligjencën artificiale për ta automatizuar këtë proces.

Modelët gjuhësorë, sipas tij, “mund të funksionojnë si një njeri, duke gjeneruar informacion të besueshëm. Një përdorues i zakonshëm mund ta bëjë këtë me IA – dhe njësoj edhe aplikacioni im.”

Si funksionon aplikacioni?

Yilmaz shpjegon se kur përdoruesit kërkojnë një qytet apo ndajnë vendndodhjen e tyre, aplikacioni i tërheq automatikisht informacionet kulturore përkatëse dhe i paraqet në formate të shkurtra e të kuptueshme.

“Është krijuar të funksionojë sikur po përdor një telefon ose kompjuter, por në sfond punon automatikisht dhe ofron përgjigje të thjeshta e të shpejta,” tha ai.

Aplikacioni cakton detyra eksplorimi nëpër qytet dhe i udhëzon përdoruesit drejt pikave kryesore kulturore, një mjet i dobishëm për vizitorët që janë për herë të parë në një vend.

Përdoruesit fitojnë pikë teksa kryejnë detyrat dhe përgjigjen në pyetje, të cilat më pas mund t’i përdorin për zbritje në tregun e brendshëm të aplikacionit.

“Argëtohesh ndërkohë që eksploron, dhe fiton diçka në këmbim,” tha Yilmaz, duke shtuar se të gjitha vendet e vizituara ruhen në profilin e përdoruesit, që “asgjë të mos humbet.”

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us