Grupi Huthi në Jemen i mbështetur nga Irani njoftoi se ka rrëzuar një tjetër mjet ajror pa pilot të ushtrisë së ShBA-së.
Zëdhënësi ushtarak i grupit Huthi, Yahya Saree, në një video që ka ndarë në llogarinë e tij në rrjetet sociale theksoi se kanë rrëzuar një dron MQ-9 të ShBA-së i cili po "kryente aktivitete armiqësore" mbi qytetin Al-Hudaydah në perëndim të Jemenit.
Duke shpjeguar se droni u rrëzua me një raketë tokë-ajër të prodhimit vendas, Saree shtoi se ky është droni i dytë i llojit MQ-9 që është rrëzuar brenda 72 orëve të fundit.
Më tej, Saree tha se deri tani janë rrëzuar 17 dronë MQ-9 që nga fillimi i sulmeve amerikane.
Sulmet ajrore kundër Jemenit
Më 7 mars Huthit njoftuan se i kishin dhënë Izraelit katër ditë afat për të lejuar hyrjen e ndihmave në Gaza, përndryshe ata do të rifillonin operacionet detare kundër Izraelit.
Presidenti amerikan Donald Trump në një deklaratë më 15 mars në platformën "Truth Social" njoftoi se kishte urdhëruar ushtrinë të fillonte një "sulm masiv" kundër Huthive në Jemen.
Udhëheqësi i Huthive, Abul-Malik Al-Houthi deklaroi se avionët dhe anijet luftarake amerikane do të jenë objektiv i Huthive dhe se pengesat në lundrimin detar do të përfshijnë edhe Uashingtonin, për sa kohë që ata vazhdojnë sulmet e tyre.