RAJONI
2 minuta leximi
Ish-presidenti Thaçi në Kosovë për ta vizituar babanë e sëmurë
Aprovimi i kërkesës së tij për këtë vizitë u bë pas refuzimeve të mëhershme të Gjykatës Speciale, e cila kishte vlerësuar se gjendja shëndetësore e babait të Thaçit nuk ishte e rëndë.
Ish-presidenti Thaçi në Kosovë për ta vizituar babanë e sëmurë
Ish-presidenti Thaçi në Kosovë për ta vizituar babanë e sëmurë / AA Archive
13 Mars 2025

Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po qëndron aktualisht në Kosovë.

Thaçit, i cili është nën paraburgim nga Gjykata Speciale për krime lufte me seli në Hagë, i është dhënë leje për ta vizituar babanë e tij të sëmurë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në Prishtinë.

Aprovimi i kërkesës së tij për këtë vizitë u bë pas refuzimeve të mëhershme të Gjykatës Speciale, e cila kishte vlerësuar se gjendja shëndetësore e babait të Thaçit, nuk ishte e rëndë.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, në një përgjigje për televizionin publik të Kosovës tha se vizita e Thaçit në Kosovë është bërë për arsye humanitare.

"Po, mund ta konfirmoj. Për arsye detyruese humanitare, Trupi Gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin që të jetë me babanë e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim në Dhomat e Specializuara", thuhet në përgjigjen e tij.

Thaçi në këtë vizitë u shoqërua nga pjesëtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), derisa jashtë objektit të QKUK-së dolën edhe një numër qytetarësh të cilët brohoritën në mbështetje të tij.

Më 4 prill 2025 është dita e fundit kur dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, e njohur si Gjykata Speciale, do të dëshmojnë në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.


BURIMI:AA
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us