Në takimin në kryeqytetin hungarez Budapest, kryeministri Viktor Orban dhe homologu i tij izraelit Benjamin Netanyahu shënjestruan Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GjNP).
Pavarësisht urdhërarrestit të GjNP-së, Netanyahu zhvilloi një vizitë zyrtare në Hungari dhe u takua me homologun e tij hungarez Orban.
Duke folur në një konferencë për media pas takimit, Orban tha se ai nënshkroi vendimin për t'u anëtarësuar në GjNP në vitet e tij të para si kryeministër dhe se sot nënshkroi të njëjtin vendim për t'u larguar.
Orban pretendoi se "GjNP-ja është kthyer në një gjykatë politike dhe një instrument politik dhe se vendimi kundër Izraelit është treguesi më i qartë i kësaj".
Pasi tha se është i kënaqur me investimet që Izraeli ka bërë në Hungari dhe se shpreson që bashkëpunimi mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e industrisë së mbrojtjes, të vazhdojë, Orban shpjegoi se Hungaria është vendi i tretë me popullsinë më të madhe hebreje në Evropë dhe se komuniteti hebre ndihet më i sigurti këtu.
"Flamuri i Hamasit nuk është valëvitur kurrë në Hungari dhe kjo do të vazhdojë të jetë e tillë", shtoi Orban.
Kryeministri izraelit Netanyahu e përshkroi Orbanin si mik, ndërsa pretendoi se Hungaria është një nga vendet e pakta në Evropë që e kupton vendin e tij.
Duke prekur edhe vendimin e Hungarisë për t'u larguar nga GjNP-ja, Netanyahu pretendoi se GjNP-ja është një "strukturë e kalbur" dhe se qeveria e Budapestit kishte bërë një hap të rëndësishëm kundër antisemitizmit me këtë vendim.
"Hungaria e ka mbrojtur me guxim Izraelin si në Bashkimin Evropian (BE) ashtu edhe në Kombet e Bashkuara (OKB)", tha Netanyahu i cili vazhdoi të pretendojë se judaizmi nuk mund të ekzistonte pa Izraelin dhe se për këtë arsye retorika kundër vendit të tij është antisemitizëm.
Hungaria u bë shteti i parë anëtar i BE-së që u largua nga GjNP-ja, duke vendosur të largohej nga GjNP-ja në ditën e parë të vizitës së Netanyahut.
- Kryeministri izraelit zotohet se do ta mbrojë Evropën nga "aksi iranian i të keqes"
Më tej, kryeministri izraelit u zotua se do ta mbrojë Evropën dhe aleatët e saj në Lindjen e Mesme nga ajo që ai e quajti “boshti iranian i të keqes”.
"Ne do ta shkatërrojmë aksin iranian të së keqes që kërcënon Izraelin, Evropën dhe partnerët tanë në Lindjen e Mesme”, tha Netanyahu në konferencën për media me kryeministrin hungarez.
“Ne jemi të përkushtuar për ta shkatërruar aksin irainan dhe ta mbrojmë Izraelin dhe Evropën prej tij”, shtoi ai.
- Vendet palë në GjNP janë të detyruara ta arrestojnë
Në vendimin e saj të shpallur më 21 nëntor 2024, GjNP-ja njoftoi se ka lëshuar urdhër arresti për kryeministrin izraelit Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant "për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Gaza".
Zbatimi i urdhërarresteve të lëshuara nga GjNP-ja është detyrim i shteteve palë në përputhje me nenet 86 dhe 87 të Statutit të Romës i cili është traktati themelues i gjykatës.
Sipas nenit 89 të statutit, nëse Netanyahu dhe Gallant udhëtojnë në ndonjë vend palë në GjNP, autoritetet e atij vendi duhet t'i arrestojnë ato dhe t'ia dorëzojnë gjykatës në Hagë.
Orban i cili ka kundërshtuar vendimin e GjNP-së, në nëntor 2024 e ftoi Netanyahun ta vizitojë vendin e tij duke i dhënë garanci.