RAJONI
3 minuta leximi
Ministria e Jashtme e Kosovës: Serbia po sinjalizon gatishmëri për agresion
"Deklarata e qeverisë serbe ndaj vendimit të Kenias për njohjen e Kosovës vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë t'i përmbushë zotimet e saj në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve", thuhet në reagimin e MPJD-së.
Ministria e Jashtme e Kosovës: Serbia po sinjalizon gatishmëri për agresion
Ministria e Jashtme e Kosovës: Serbia po sinjalizon gatishmëri për agresion
27 Mars 2025

 Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) e Kosovës ka thënë se Qeveria serbe nuk ka asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe se deklarata e saj ndaj vendimit të Kenias për njohjen e shtetësisë së Kosovës "vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë t'i përmbushë zotimet e saj në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve".

MPJD-ja e ka quajtur shqetësuese deklaratën e Serbisë duke e vlerësuar se është kërcënim i drejtpërdrejt dhe alarmues kundër Kosovës.

"Duke deklaruar se do ta mbrojë 'me vendosmëri më të madhe' sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, Serbia po sinjalizon sërish gatishmërinë e saj për agresion. Duke pasur parasysh veprimet e saj të vazhdueshme armiqësore kundër Kosovës që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, përfshirë sulmet ushtarake, politike, diplomatike dhe ekonomike bashkësia ndërkombëtare duhet t'i marrë këto kërcënime seriozisht", thuhet në deklaratën e MPJD-së.

Ndërkohë, i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta dënojë ashpër retorikën agresive të Serbisë dhe shkeljet e saj të vazhdueshme të Marrëveshjes së Brukselit.

Në reagim, Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se Serbia po vazhdon fushatën e saj të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propagandës kundër Kosovës, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për ta penguar vendin në rrugën drejt integrimit të plotë në mekanizmat ndërkombëtare.

"Kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit. Refuzimi i Serbisë për t'i zbatuar këto zotime konfirmon edhe më tej mungesën e vullnetit të mirë dhe sinqeritetit në procesin e normalizimit", thuhet në reagim.

Më tej, MPJD-ja thotë se derisa Serbia përmend Kartën e OKB-së, Lëvizjen e të Painkuadruarve dhe marrëdhëniet e saj me Kenian për ta paraqitur veten si viktimë, bota e di se është e njëjta Serbi nën udhëheqjen e shumë prej të njëjtëve individë që filloi katër luftëra në Ballkan në vitet 90-të, që kreu gjenocid e spastrime etnike në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë.

MPJD-ja përmendi edhe pretendimin e Beogradit zyrtar se 28 shtete të ndryshme e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës në tetë vitet e fundit, të cilën MPJD-ja e quajti "gënjeshtër e paskrupullt".

Serbia e quajti "akt armiqësor" njohjen e Kosovës nga Kenia. Beogradi zyrtar paralajmëroi se do t'i marrë të gjitha masat e nevojshme diplomatike duke theksuar se vendimi për ta njohur Kosovën është shkelje e rëndë e të drejtës ndërkombëtare dhe cenim i drejtpërdrejtë i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Serbisë, akti i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Kenia minon gjithashtu përpjekjet për dialog konstruktiv, stabilitetin rajonal dhe respektimin e rendit juridik ndërkombëtar, por po ashtu ky veprim do të ndikojë në marrëdhëniet e Serbisë me Kenian.


Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us