POLITIKË
2 minuta leximi
Siria mirëpret urdhrin ekzekutiv të Trump për heqjen e sanksioneve të ShBA-së
Ministri i Jashtëm sirian Asaad al-Shaibani e quan vendimin një "pikë kthese" që mund të hapë rrugën për rindërtim, stabilitet dhe kthimin e refugjatëve.
Siria mirëpret urdhrin ekzekutiv të Trump për heqjen e sanksioneve të ShBA-së
Siria mirëpret urdhrin ekzekutiv të Trump për heqjen e sanksioneve të ShBA-së / AP
30 Qershor 2025

Siria ka mirëpritur urdhrin ekzekutiv të nënshkruar të hënën nga Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i cili shfuqizon shumicën e sanksioneve amerikane ndaj vendit, duke e quajtur këtë një hap historik që mund të çojë në rimëkëmbjen kombëtare dhe integrimin e vendit në komunitetin ndërkombëtar.

"Ne e mirëpresim heqjen e shumicës së sanksioneve të vendosura ndaj Republikës Arabe Siriane përmes këtij vendimi historik të Presidentit Trump", shkroi ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, në një postim në platformën X.

Ai e përshkroi këtë hap si “një pikë kthese të rëndësishme” që do ta udhëheqë Sirinë drejt një faze të re mirëqenieje, stabiliteti dhe hapjeje ndaj botës.

“Tani që kjo pengesë madhore për rimëkëmbjen ekonomike është hequr, dyert e shumëpritura për rindërtim dhe zhvillim janë të hapura”, shtoi Shaibani, duke theksuar se vendimi do ta mundësojë rehabilitimin e infrastrukturës jetike dhe krijimin e kushteve të nevojshme për kthimin e sigurt dhe dinjitoz të sirianëve të zhvendosur në atdhe.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Presidenti Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë fund programit të sanksioneve të ShBA-së ndaj Sirisë.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur një Siri të qëndrueshme, të bashkuar dhe në paqe me veten dhe fqinjët e saj,” thuhet në urdhrin ekzekutiv të publikuar nga llogaria zyrtare “Trump 47 White House” në X.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se qëllimi i këtij vendimi është mbështetja e Sirisë në rrugën drejt “stabilitetit dhe paqes”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us