LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
OKB-ja: Pas 130 ditësh, në Gaza hyn sasia e parë e karburantit
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, deklaroi në një konferencë për media se "sasia e dërguar dje nuk mjafton as për nevojat energjetike të një dite të vetme".
OKB-ja: Pas 130 ditësh, në Gaza hyn sasia e parë e karburantit
OKB-ja: Pas 130 ditësh, në Gaza hyn sasia e parë e karburantit / AA
11 Korrik 2025

Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi të enjten se dërgesa e parë e karburantit pas 130 ditësh ka hyrë në Gaza, por paralajmëroi se nuk ishte e mjaftueshme për të mbështetur operacionet humanitare.

Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Dujarric tha se "një ekip i OKB-së arriti të sillte rreth 75.000 litra karburant nga Izraeli në Rripin e Gazës të mërkurën. Kjo është dërgesa e parë e tillë pas 130 ditësh".

Ai paralajmëroi se "sasia e dërguar dje nuk është e mjaftueshme as për nevojat e energjisë për një ditë".

"Karburanti po mbaron, dhe shërbimet do të ndërpriten nëse nuk futen menjëherë furnizime të reja në Gaza", theksoi Dujarric, duke shtuar se OKB-ja dhe partnerët e saj kanë nevojë për "qindra mijëra litra karburant çdo ditë, për të vazhduar operacionet jetike humanitare".

Ai tha se një partner humanitar në Gaza kishte paralajmëruar këtë javë se mungesa e karburantit mund të linte rreth 44.000 fëmijë pa qasje në ujë të pastër, duke "rritur rrezikun e sëmundjeve të transmetuara nga uji, si kolera, diarrea dhe dizenteria".

Dujarric po ashtu deklaroi se ushtria izraelite po vazhdon operacionet në të gjithë Gazën, duke shtuar: "Këtë mëngjes, njerëz që prisnin për ndihma ushqimore në Deir al-Balah, raportohet se janë goditur".

Ai citoi raportet nga Spitali Al-Aqsa, duke thënë se kishte pasur "një numër të madh viktimash", shumica e të cilëve ishin gra dhe fëmijë.

Gjithashtu u raportua një sulm ndaj zyrës së një partneri humanitar në Gaza, ku mbetën të vrarë tre anëtarë të stafit.

Sipas Dujarric, operacionet ushtarake izraelite dhe dhuna nga kolonët izraelitë të paligjshëm kanë shkaktuar zhvendosje masive, përfshirë një sulm më 3 korrik që detyroi zhvendosjen e një komuniteti tjetër beduin, komuniteti i nëntë që zhvendoset plotësisht në zonën midis Ramallahit dhe Jerikos që nga fillimi i vitit.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us