Ministri izraelit i Energjisë, Eli Cohen, tha të hënën se plani i Presidentit të ShBA-së, Donald Trump, për t’i zhvendosur palestinezët nga Rripi i Gazës "mbetet në tryezë".
Duke folur për transmetuesin publik izraelit KAN, Cohen tha se plani i ashtuquajtur "migrim vullnetar" i propozuar nga Trump po ndiqet.
Që nga shkurti, Trump ka bërë thirrje të përsëritura për ta "marrë nën kontroll" Gazën dhe për të zhvendosur popullsinë e saj për ta zhvilluar atë në një destinacion turistik. Plani i tij u refuzua nga bota arabe dhe shumë vende të tjera, të cilat thonë se kjo përbën spastrim etnik.
"Përpjekjet për ta zbatuar planin janë duke vazhduar në terren", tha Cohen, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ministri izraelit tha se ka "bisedime të avancuara" me dy vende në lidhje me çështjen, pa i përmendur ato. Ai, megjithatë, tha se njëri nga të dy vendet është "islamik".
"Nuk shoh një proces serioz rindërtimi në horizont për Rripin e Gazës në vitet e ardhshme", tha Cohen. "Promovimi i opsionit të migrimit vullnetar është bërë një domosdoshmëri realiste e imponuar nga situata aktuale në Gaza."
Të dielën vonë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pranoi se ushtria e tij vazhdon t’i shkatërrojë shtëpitë në Gaza për ta parandaluar kthimin e palestinezëve dhe për t'i detyruar ata të emigrojnë.
Gati 52.900 palestinezë janë vrarë në Gaza në një sulm brutal izraelit që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste nëntorin e kaluar për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.