RAJONI
2 minuta leximi
Presidentja Osmani në ShBA: Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane
"Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane, një tokë që dikur ishte e shkatërruar nga lufta, por që sot flet me gjuhën e paqes, shpresës dhe mirënjohjes", tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani në ShBA: Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane
Presidentja Osmani në ShBA: Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane / AA
26 Maj 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në ShBA me ftesë të Kongresit Amerikan, për të marrë pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka thënë se ajo sot përfaqëson një Kosovë të lirë dhe sovrane.

Osmani në fjalën e saj të mbajtur në darkën e organizuar nga Kongresi Amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s, para udhëheqësve të lartë të Kongresit dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s, theksoi se paqja nuk trashëgohet, por ndërtohet, mirëmbahet dhe mbrohet vazhdimisht.

"Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane, një tokë që dikur ishte e shkatërruar nga lufta, por që sot flet me gjuhën e paqes, shpresës dhe mirënjohjes. Ushtarët amerikanë dhe aleatët e NATO-s erdhën në Kosovë jo për lavdi, por sepse besonin në të drejtën themelore të çdo njeriu për të jetuar i lirë nga shtypja", tha presidentja Osmani.

Sipas presidentes Osmani, në momentet më të brishta ushtarët amerikanë "nuk na ofruan strehë vetëm për shtëpitë tona, por edhe për ëndrrat tona".

"Falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një shtet u ngrit nga hiri", shtoi Osmani.

Në këtë kontekst, Osmani tha se ushtarët amerikanë që erdhën me uniformë dhe qëndruan me vendosmëri, gjithmonë do ta kenë një shtëpi në Kosovë.

Osmani e cila po ashtu më herët ishte folëse në panelin për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor, tha se reformat e Kosovës dhe investimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë po e pozicionojnë Kosovën si partnere mes vendeve që ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe sigurisë.

Sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në qytetin Dayton të ShBA-së, shënon edhe 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit për Bosnjë e Hercegovinën, prandaj edhe e tërë ngjarja i dedikohet përpjekjeve për paqe e siguri në Ballkanin Perëndimor. Në këtë ngjarje marrin pjesë edhe presidentë të vendeve të tjera nga rajoni si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, BE-së e ShBA-së.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us