POLITIKË
2 minuta leximi
Izraeli kritikoi planin e Francës për të njohur Palestinën
Franca mund të njohë Palestinën në qershor gjatë një konference ndërkombëtare që do të organizohet së bashku me Arabinë Saudite, njoftoi Macron.
Izraeli kritikoi planin e Francës për të njohur Palestinën
Izraeli kritikoi planin e Francës për të njohur Palestinën / TRT Balkan
10 Prill 2025

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, e ka dënuar ashpër planin e Francës për ta njohur Palestinën, duke thënë se kjo do të ishte "shpërblim për terrorizmin".

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të mërkurën në një intervistë për France 5 se vendi i tij planifikon ta njohë shtetin palestinez dhe se kjo mund të bëhet në qershor, gjatë një konference ndërkombëtare që do të udhëhiqet nga Franca dhe Arabia Saudite.

"Njohja e njëanshme e një shteti palestinez të shpikur, në realitetin që të gjithë e njohim, do të përbënte një shpërblim për terrorizmin dhe një shtysë për Hamasin", shkroi Sa’ar në rrjetin X.

Ai shtoi se "veprime të tilla nuk do ta afronin paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë, përkundrazi, do t’i largonin edhe më shumë ato."

Macron tha se "duhet të ndërmarrim hapa drejt njohjes dhe do ta bëjmë këtë në muajt në vijim."

Sipas tij, konferenca e planifikuar për zbatimin e zgjidhjes dy-shtetëshe, që do të mbahet në New York, mund të jetë një moment vendimtar.

"Qëllimi ynë është të kryesojmë këtë konferencë (për Palestinën) së bashku me Arabinë Saudite në qershor, ku mund ta përmbyllim këtë proces të njohjes reciproke të disa palëve", tha Macron.

Këto deklarata vijnë në një moment kur po forcohen thirrjet ndërkombëtare për një zgjidhje politike të konfliktit në Gazë, ku ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 50,000 njerëz që nga tetori i 2023, si dhe të konfliktit të gjerë izraelito-palestinez.

Në shkurt të vitit 2024, Macron deklaroi se njohja e shtetit palestinez "nuk është tabu për Francën" dhe theksoi se një hap i tillë është një nevojë morale dhe politike.

"Ne iu detyrohemi palestinezëve, të cilët synimet e tyre janë shkelur për një kohë të gjatë. Iu detyrohemi izraelitëve, që kanë përjetuar masakrën më të madhe antisemitiste të këtij shekulli. Iu detyrohemi rajonit, që dëshiron të dalë nga ky kaos dhe hakmarrje", tha atëherë Macron.

Aktualisht, 147 nga 193 anëtarët e Kombeve të Bashkuara njohin shtetin palestinez. Në maj të vitit të kaluar, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia iu bashkuan kësaj liste, duke e çuar numrin e shteteve të Bashkimit Evropian që kanë njohur Palestinën në 10. Shtetet e tjera që kanë njohur Palestinën janë Bullgaria, Qipro, Malta, Hungaria, Polonia, Suedia dhe Rumania.

Disa shtete të tjera evropiane, veçanërisht nga Europa Lindore, përfshirë Ukrainën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Bjellorusinë, gjithashtu e kanë njohur shtetësinë palestineze.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us