Rusia ka marrë parasysh deklaratën e Presidentit të ShBA-së, Donald Trump, për shkurtimin e afatit për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë dhe mosinteresimin e tij për kontakte të nivelit të lartë, tha zëdhënësi i Kremlinit të martën.
"Kemi marrë parasysh deklaratën e presidentit Trump dje," tha Dmitry Peskov gjatë një konference për shtyp në Moskë, duke shtuar se ai "do të preferonte të përmbahej nga çdo komentim" mbi deklaratat e liderit amerikan.
Më 14 korrik, Trump i cili ka kërkuar t’i japë fund luftës në Ukrainë që kur nisi mandatin e tij të dytë në janar dhe ka folur me presidentin rus Vladimir Putin të paktën gjashtë herë këtë vit tha se do të vendoste tarifa dytësore 100% ndaj Moskës dhe partnerëve të saj tregtarë në rast të mungesës së përparimit drejt një zgjidhjeje.
Të hënën, presidenti amerikan tha se e kishte reduktuar afatin në 10-12 ditë dhe se nuk ishte më i interesuar të fliste me Putinin.
"‘Operacioni special ushtarak’ vazhdon. Në të njëjtën kohë, ne mbetemi të përkushtuar ndaj procesit të paqes për zgjidhjen e konfliktit rreth Ukrainës dhe për sigurimin e interesave tona gjatë këtij procesi," tha Peskov, duke komentuar mbi deklaratat e Trumpit.
I pyetur nëse një takim i mundshëm mes Putinit dhe Trumpit ishte ende në shqyrtim, Peskov tha: "Kjo çështje nuk ka qenë asnjëherë realisht në tryezë dhe ende nuk është".
Sa i përket procesit të normalizimit të marrëdhënieve Rusi-ShBA, sipas vlerësimit të zëdhënësit, ai proces nuk ka ecur "as në mënyrë të qëndrueshme, as në mënyrë vendimtare."
Moska është e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Uashingtonin dhe do të dëshironte të shihte më shumë përparim, por për të ecur përpara, të dyja palët duhet të marrin nismë, theksoi Peskov.