Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë evidentuar dhjetëra vatra zjarri, ndërkohë dy vatra janë ende aktive, ndërkohë vazhdojnë operacionet për shuarjen e tyre.
Numri i vatrave aktive është ulur në krahasim me ditët e kaluara për shkak të reshjeve të shiut në orët e fundit në disa zona të vendit.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se vatrat e zjarrit aktive janë në bashkitë e Gjirokastrës dhe Skraparit.
"Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 52 vatra zjarri, ndër të cilat 2 janë ende aktive, 4 vatra janë në monitorim dhe 46 janë shuar", theksohet në njoftim.
Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit u evakuuan banorët e disa fshatrave për shkak të rrezikut nga zjarret, ndërkohë nga zjarret u dëmtuan edhe disa banesa.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve në javët e fundit janë angazhuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë, automjete zjarrfikëse, forca bashkiake, vullnetarë dhe forca të tjera operacionale.
Në ndihmë për shuarjen e zjarreve në Shqipëri në ditët e fundit janë angazhuar edhe avionë nga Italia, Greqia, Kroacia dhe Hungaria, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.
Gjithashtu dronët turq "Bayraktar" TB2, që janë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, janë përfshirë në operacionet e monitorimit të situatës nga zjarret në Shqipëri.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, sa i përket rrezikut për zjarre, sot dhe nesër pritet nivel rreziku "i lartë" në qarkun Fier. Në qarqet Elbasan, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër pritet nivel rrezik "i moderuar", ndërkohë në qarqet Lezhë, Durrës dhe Tiranë pritet nivel rrezik "i ulët".
Sipas institutit, sot dhe nesër priten reshje shiu në disa zona të vendit, ndërkohë në disa zona temperatura pritet të arrijnë në orët në vazhdim deri në 32 gradë celsius.