Kancelari gjerman Friedrich Merz të martën i bëri thirrje Izraelit ta përmirësojë urgjentisht situatën humanitare në Rripin e Gazës, duke deklaruar se hapat fillestarë janë të mirëseardhur, por të pamjaftueshëm.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në Berlin me mbretin jordanez Abdullah, Merz konfirmoi se dy avionë gjermanë mund ta nisin dorëzimin e ndihmave humanitare nga Jordania drejt Gazës që të mërkurën.
“Dërgimi i ndihmave nga ajri është një sinjal i qartë se ne jemi të pranishëm dhe po ndihmojmë aktivisht,” tha Merz, duke theksuar përkushtimin e Gjermanisë për t'i zbutur vuajtjet e civilëve në enklavën palestineze.
Ai theksoi se është i nevojshëm progres i mëtejshëm për ta parandaluar përkeqësimin e krizës.
Merz gjithashtu lëshoi një paralajmërim të fortë kundër çdo hapi të mëtejshëm drejt aneksimit të Bregut Perëndimor të okupuar.
“Nuk mund të ketë hapa apo veprime të tjera drejt aneksimit,” tha ai, duke iu referuar shqetësimeve ndërkombëtare për zgjerimin e vendbanimeve izraelite dhe pretendimeve të mundshme territoriale.
Merz shtoi se njohja e shtetit palestinez duhet të konsiderohet si një nga hapat e fundit brenda një zgjidhjeje të dakorduar me dy shtete.
Ai theksoi se Gjermania mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj këtij qëllimi dhe po bashkëpunon me partnerët ndërkombëtarë për ta ringjallur procesin e paqes.
Merz tha gjithashtu se Berlini, Parisi dhe Londra po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të ministrave të tyre të jashtëm në Izrael si pjesë e një nisme të përbashkët diplomatike për të nxitur de-përshkallëzimin dhe për të avancuar një zgjidhje politike për konfliktin.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 147 persona kanë vdekur nga uria që nga tetori 2023 kur Izraeli nisi sulmet në enklavën palestineze përfshirë 88 fëmijë.
Duke injoruar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 60.000 palestinezë në Gaza që nga tetori 2023, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar një krizë ekstreme urie.
Të hënën, organizatat izraelite për të drejtat e njeriut B’Tselem dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut, Izrael, e akuzuan Izraelin për gjenocid në Gaza, duke e përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe çmontimin e qëllimshëm të sistemit shëndetësor në këtë territor.