BOTA
2 minuta leximi
Nëntë vende anëtare të BE-së shprehin interes për kredi të mbrojtjes
Komisioni Evropian pret që të paktën 20 shtete anëtare të aplikojnë përfundimisht për kreditë SAFE.
Nëntë vende anëtare të BE-së shprehin interes për kredi të mbrojtjes
Nëntë vende anëtare të BE-së shprehin interes për kredi të mbrojtjes / AA
29 Korrik 2025

Deri në nëntë vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë shprehur zyrtarisht interes për të marrë kredi në kuadër të skemës “Security Action for Europe” (SAFE), bëri të ditur të martën Komisioni Evropian.

Duke folur në një konferencë për shtyp në mesditë, zëdhënësi Thomas Regnier tha se lista përfshin: Belgjikën, Bullgarinë, Qipron Jugore, Çekinë, Estoninë, Spanjën, Finlandën, Hungarinë dhe Lituaninë, dhe reflekton gjendjen aktuale përpara afatit jozyrtar të mesnatës.

Një listë e plotë dhe formale do të publikohet të mërkurën.

“Kjo është një listë fillestare. Jemi mjaft të bindur se numri do të rritet ndjeshëm edhe sot,” tha ai, duke shtuar se Komisioni Evropian mbetet “mjaft i sigurt” se të paktën 20 shtete anëtare do të aplikojnë përfundimisht për kreditë SAFE.

Regnier shtoi se Komisioneri për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, ka marrë reagime inkurajuese nga qeveritë kombëtare gjatë diskutimeve të tij, çka i përforcon më tej pritshmëritë.

SAFE është një instrument financiar prej 150 miliardë eurosh (173 miliardë dollarë) që synon ta rrisë prodhimin e mbrojtjes dhe prokurimet e përbashkëta ndërmjet shteteve anëtare të BE-së.

I financuar përmes huamarrjes së BE-së, ai ofron kredi afatgjata me interesa konkurruese për të mbështetur projekte bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, duke u fokusuar në fusha prioritare si municionet, dronët dhe sistemet e mbrojtjes ajrore. Të paktën 65% e përbërësve të sistemeve të armëve duhet të jenë me origjinë nga BE-ja, Ukraina apo vendet e EEA/EFTA-së.

SAFE gjithashtu lejon pjesëmarrje të kufizuar nga vende të treta përmes marrëveshjeve bilaterale, me qëllim forcimin e gatishmërisë mbrojtëse të BE-së dhe mbështetjen për Ukrainën.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us