Kandidati i Lëvizjes Evropa Tani, Jakov Millatoviq, i fitoi zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, duke fituar në raundin e dytë 58,9% të votave, sipas të dhënave të Qendrës për Tranzicionin Demokratik (CDT), bazuar në 100% të mostrës së përpunuar.
]Sipas të dhënave të CDT-së, 41,1 për qind e votuesve votuan për kandidatin presidencial të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe presidentin aktual të shtetit, Millo Gjukanoviq.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale votuan rreth 383 mijë zgjedhës, pra 707 për qind. Të drejtë vote në zgjedhje patën 542.154 qytetarë.
Parashikimet fillestare treguan se ekonomisti Jakov Millatoviq, i mbështetur nga grupet proserbe, ka fituar zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi.
Millatoviqit postin e presidentit të shtetit do ta trashëgojë nga presidenti ne largim Millo Gjukanoviq i cili e ka formësuar politikën e vendit për më shumë se tri dekada.
Millatoviq: Mali i Zi ka bërë një hap vendimtar përpara
Mali i Zi ka bërë një hap vendimtar përpara, drejt një shteti evropian, më të bukur dhe më të drejtë, tha presidenti i sapozgjedhur malazez Jakov Millatoviq.
Ai në konferencën për media tha se kjo është një fitore e Malit të Zi të pajtimit.
“Sonte Mali i Zi bëri një hap vendimtar përpara, duke i dhënë lamtumirë regjimit të Millo Gjukanoviqit. Mali i Zi ka bërë një hap përpara drejt një Mali të Zi evropian, më të bukur dhe më të drejtë”, tha Millatoviq.
Kjo është, siç theksoi, një fitore e madhe, historike. Ai falënderoi të gjithë qytetarët që dolën dhe votuan dhe kështu “i dhanë legjitimitet këtij procesi demokratik”.
“Sonte e lëmë të kaluarën në të kaluarën. Ne po ecim fuqishëm drejt së ardhmes. Kjo është një ditë historike për të gjithë ne”, tha Millatoviq.
Gjukanoviq pranoi humbjen në zgjedhjePresidenti aktual i Malit të Zi dhe kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve Millo Gjukanoviq ka uruar Jakov Millatoviqin për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale.
Gjukanoviq në konferencën për media tha se Mali i Zi ka bërë zgjedhjen e tij dhe se respekton gjykimin e qytetarëve.
Ai ka uruar që Milatoviq të jetë president i suksesshëm.
"Nëse ai është një president i suksesshëm, do të thotë se Mali i Zi mund të jetë gjithashtu një vend i suksesshëm," tha Gjukanoviq.
Ndër të tjerash, Gjukanoviq falënderoi të gjithë qytetarët që kontribuan në një proces zgjedhor demokratik dhe të besueshëm në Mal të Zi, i cili kontribuon në reputacionin ndërkombëtar të vendit.